Alda Klosi lihet në burg, avokati Ilirjan Muho: Klosi pronare e vetëm 120 mjë eurove
Gjykata e Apelit la në fuqi masën e arrestit me burg për ish zyrtaren e ministrisë së financave Alda Klosi. Avokati Ilirajn Muho tha se prokuroria ka vepruar gabim pasi nuk ka prova për fshehje pasurie nga klientja e tij. Nga ana tjetër Alda Klosi vijon të pranojë vetëm shumën 120 mijë euro duke këmbëngulur se nuk i përkasin 500 mijë eurot e pretenduara nga sanitarja.
Argumentet e paraqitura nga avokati për nevojën e kujdesit të dy fëmijëve dhe nënës së sëmurë, nuk e bindën gjykatën e apelit për lirimin e Alda Klosit.
Ish-zyrtarja e Ministrisë së Financave do të qëndrojë në burg deri në fund të hetimeve.
Avokati Ilirjan Muho, tha pas seancës se prokuroria ka vepruar gabim me arrestimin e Alda Klosit, pasi ende nuk ka prova bindëse.
Sipas avokatit, Alda Klosi vijon ti qëndrojë thenieve të ditës së parë ku banesa e saj ra pre e vjedhjes nga Rozeta dhe Havier Dobi.
"Ajo çfarë thotë prokuroria duhet verifikuar dhe provuar vërtetësia e deklaratave të Rozeta Dobit. Kjo nuk do të thotë që Alda Klosi duhet të rrijë në burg derisa të provohet vërtetësia e tyre. Prokuroria duhet fillimisht të sigurojë provat dhe pastaj të vijë me kërkesat për mbajtjen e saj në burg.
Të pretendosh që ta mbash një person që në fillim dhe të fillosh të kërkosh prova kjo është e padrejtë dhe ka vend për kontestime.
Prokuroria para disa ditësh ka bërë sekuestro të një apartamenti të regjistruar në emër të ish bashkëshortit të saj që e ka marrë në vitin 2021, pra më shumë se 2 vite e disa pasi ishin ndarë dhe nuk e dimë si mund të akuzohet për pasuritë e tij kur kanë më shumë se 3 vite të ndarë.
Në vitin 2018 janë divorcuar dhe Alda Klosit i janë lënë në kujdestari 2 fëmijët e mitur dhe marrëdhëniet me bashkëshortin kanë vijuar të jenë korrekte për hir të fëmijëve. Ajo çfarë thotë Prokuroria është një gjë që ka nevojë të verifikohet. Kjo nuk do të thotë që Klosi duhet të qëndrojë në burg deri atëherë.
Janë 2 vepra penale për të cilat nuk gjenerojnë të ardhura, si fshehja dhe deklarimi i rremë. Klientja ka deklaruar gjithçka ka pasur në pronësi të saj. Shuma e parave të marra hua nga vëllai, nuk ka detyrim të deklarojë për këtë gjë. Në ngritjen e dyshimit se ekziston akuza e deklarimit të rremë flitet për deklarimin e dhënë nga vëllai dhe Alda Klosi që i janë përgjigjur në mënyrë korrekte. Klosi s’mund të fajësohet për gjëra të cilën se kanë pyetur. Vëllai është pyetur si u siguruan paratë." tha ai.
Alda Klosi u arrestua pas disa dëshmive të dhëna Havier dhe Rozeta Dobi të cilët pretendojnë se në banesën e ish-zyrtares kanë marrë mbi 500 mijë euro, dhe disa bizhu floriri.
Aktualisht mbi Klosin rëndojnë tri akuza, pastrami i parave, mosdeklarimim i të hollave dhe dëshmi e rreme para oficerëve të policisë gjyqësore.
Pak ditë më parë më urdhër të prokurorisë u sekuestruan në Tiranë disa prona në emër të Alda Klosit, përfshirë edhe një apartament.
