"Dukagjin, dashnija jeme. Dua rrugën me shku te Kulla e gjyshit!" qindra banorë protestë në Shkodër
“Dukagjini kërkon rrugën”! Ishte kjo motoja që i nxori në një protestë përpara bashkisë dhe prefekturës Shkodër, banorët e kësaj krahine.
Janë 54 km rrugë që lidh 34 fshatra të zonës me Shkodrën dhe i përkasin një perle të Alpeve shqiptare. Sot udhëtimi drejt Dukagjinit është ferr dhe rruga ka marrë afro 100 jetë njerëzish në këto 3 dekada.
"Ne sot kërkojmë rrugën e Dukagjinit. Ka 30 vjet që është bërë kjo rrugë, që e kemi bërë vetë në atë kohë, nuk ka pasur mirëmbajtje. Janë rrëzuar shkëmbinj, kanë vdekur njerëz nga rruga e keqe. Protestat do ti vazhdojmë derisa të plotësohet kërkesa jonë.
Jemi shkëputur dhe e kemi braktisur komplet atë zonë sepse atje nuk shkojnë makinat. Rruga është e pakalueshme," thonë banorët.
Premtimet në 30 vite nuk kanë munguar por asnjëherë investimi për këtë rrugë nuk u bë dhe pasojat në vitet e demokracisë ishin të rënda duke i shpopulluar këto fshatra.
"Të merren masat për asfaltimin e segmentit rrugor që lidh Pulpin, Shoshin dhe Shalën duke filluar nga fshati Prekal.
Na ka lënë shteti pa të drejtë rruge. Dukagjini as spital, as rrugë, as shkollë," thanë ata.
Bashkia e Shkodres tha se e ka ne plan qe te nderhyje ne kete aks me fondin e emergjencave
"Bashkia Shkodër e ka trajtuar si një emergjencë imvestimin në këtë aks rrugor dhe ka marrë masat për të investuar në këtë segment rrugor," tha Tonin Deda, nënkryetar i bashkisë Shkodër.
Protesta e banorëve të Dukagjinit u mbyll tek busti i Nënë Terezês ku u ndezën qirinj për jetët e humbura si dhe u mbajt një lutje për to.