Itali, kapen 100 kg kokainë e fshehur në pako djathi, mes të arrestuarve edhe 3 shqiptarë
Shtatë italianë dhe një shqiptar u arrestuan me akuzën e trafikimit të kokainës, të fshehur në djathë, në itali. Grupit i janë sekuestruar 120 kilogramë lëndë narkotike nga viti i kaluar, ndërsa sipas policisë aktiviteti drejtohej nga një 37-vjeçar shqiptar.
Një operacion i gjerë i policisë italiane, ka zbuluar një rrjet kriminal italo-shqiptar që trafikonte kokainë të fshehur në produkte djathi. Grupi ku bënin pjesë edhe shqiptarë, sipas policisë vepronte në Torino, Asti, dhe kishte degë në Lombardi, Veneto, Toskanë, Siçili dhe Sardenja.
Gjatë operacionit në prill dhe qershor të vitit 2022, grupit iu sekuestrua një sasi prej 120 kilogramë kokainë me vlerë tregu mbi 20 milionë euro.
Shtatë persona janë dërguar në qeli sipas urdhërit të gjykatës dhe tre të tjerë janë lënë në arrest shtëpie.
Grupi i personave të arrestuar përbëhet nga një 37-vjeçar me kombësi shqiptare me funksione të larta drejtuese brenda bandës dhe nëntë persona të tjerë në role të tjera.
Sipas policisë, ky rrjet sillte sasi të mëdha të kokainës nga jashtë, veçanërisht nga Holanda, të fshehura në bordin e kamionëve.
Më pas lënda narkotike magazinohej në Piemonte ku maskohej në paketimet e djathit, duke u vendosur brenda copave të mëdha.
Kokaina shpërndahej në rajone të ndryshme nëpërmjet "korrierëve" dhe duke përdorur një flotë të madhe automjetesh, kryesisht me qira për të mos rënë në sy të policisë.
Prokuroria italiane përgjoi bisedat e anëtarëve të rrjetit kriminal të cilët përdornin kode për të shmangur zbulimin nga ana e policisë, teksa transportonin sasi të mëdha droge.
Megjithatë hetuesit ranë në gjurmët e këtij grupi në muajt e parë të vitit 2022 kur nisën hetimet duke mbajtur në mbikqyrje transportuesit e kokainës, paketuesit e saj dhe shpërndarësit në qytete të ndryshme të vendit.
Disa prej personave të arrestuar, sipas policisë italiane janë skeduar edhe më herët për vepra të tjera penale kryesisht për armëmbajtje pa leje.
