Padi e re për 21 janarin, familjarët e Dedës, Nikës e Myrtajt dorëzojnë kallëzim të ri penal

Pak ditë pasi SPAK hoqi dorë nga hetimi i kallëzimeve të Ministrisë së Drejtësisë dhe Partisë Socialiste për 21 janarin, një padi e re për këtë çështje është dorëzuar në këtë institucion.

Mëngjesin e sotëm, familjarë të Hekuran Dedës, Aleks Nikës dhe Faik Myrtajt janë paraqitur në zyrat e SPAK, ku kanë dorëzuar një kallëzim të ri me kërkesën që Prokuroria e Posaçme të nisë hetimet.

Taulant Balla tha nga salla e Kuvendit në seancë plenare se të kallëzuar janë Sali Berisha dhe persona të tjerë bashkëpunëtorë të tij.

Nga katër personat e vrarë më 21 janar 2011, për dy prej tyre hetimi dhe gjykimi ende nuk ka zbuluar autorët.

Konkretisht ekzekutimi i Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës kanë mbetur pa autor, ndërkohë që për këtë çështje hetimi është zhvilluar në Prokurorinë e Tiranës, ku në vitin 2021 dosja është rihapur dhe i është përcjellë policisë për veprime shtesë me qëllim identifikimin e autorëve.

Pikërisht me këtë dosje të Prokurorisë së Tiranës pritet të bashkohen edhe dy materialet nga të cilat SPAK hoqi dorë duke shpallur moskompetencën.