Ekspertët: Rajoni i goditur nga tërmeti do të përjetojë të ftohtin e ashpër edhe për një javë

Moti i ftohtë dhe i ashpër që është bërë pengesë për ekipet e kërkim-shpëtimit që punojnë ditë e natë për të nxjerrë nga rrënojat viktimat e tërmetit do të vazhdojë edhe për një javë në rajonin e goditur nga tërmeti, ka paralajmëruar një meteorolog.

Mijëra qytetarë humbën jetën në tërmetet me qendër Kahramanmaraş që prekën gjithsej 10 provinca, ndërsa përpjekjet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë ende pesë ditë pas lëkundjeve vdekjeprurëse.

Pas tërmeteve të fuqishme dhe pasgoditjeve që shkaktuan shkatërrime masive në Kahramanmaraş, Kilis, Diyarbakır, Adana, Osmaniye, Şanlıurfa, Adiyaman, Gaziantep, Malatya dhe Hatay, kushtet e vështira të motit po pengojnë punën e ekipeve të shpëtimit.

Temperaturat e ajrit në rajonin e goditur nga tërmeti dhe në të gjithë vendin janë nën normat sezonale, vuri në dukje meteorologu Cengiz Çelik nga Shërbimi Meteorologjik Shtetëror i Turqisë dhe shtoi:

“Reshjet janë larguar nga rajoni, por ajri i ftohtë do të vazhdojë të përjetohet në të gjithë rajonin. vendin, duke përfshirë edhe zonën e tërmetit.”

Gjatë javës së ardhshme moti i ftohtë fatkeqësisht do të vazhdojë të prekë rajonin, tha ai. Duke theksuar se vala e ftohtë e ajrit ka ulur edhe disa gradë temperaturat në rajon, Çelik ka paralajmëruar qytetarët në rajon për mjegull.

Eksperti theksoi se pas një jave moti do të jetë 3 deri në 4 gradë Celsius më i ngrohtë.