Berisha: Të gjithë po e presin protestën nesër. Edi Rama të japë dorëheqje të parevokueshme

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha tha se protesta e opozitës të shtunën para kryeministrisë do të jetë paqësore, por të gjitha variantet e tjera janë të mundshme, në nisjen e asaj që ai e cilëson revolucion demokratik. Për të shmangur skenarët, kryedemokrati i kërkoi policisë dhe SHISH që të mbajnë qëndrim korrekt, pasi çdo i lënduar do të konsiderohet i persekutuar politik. Me akuza të forta, në konferencën e të premtes, Berisha iu rikthye edhe çështjes "McGonigal".

Sali Berisha i kushtoi protestës që do të mbahet të shtunën në orën 12:00 një konferencë të posaçme.

Tubimi sipas tij do të jetë paqësor, por pa përjashtuar mundësi të tjera.

"Protestat tona janë paqësore por gjithnjë kanë potencialin e përdorimit të gjitha mjeteve të mosbindjes civile."

Përpara selisë së kryeministrisë ai ftoi gjithë demokratët, por duke përjashtuar Bashën e Alibeajn, teksa zbuloi pjesë të koreografisë.

"Do të ketë veprimtari ndaj atij kontigjenti që ne e quajmë “name and shame”, emëroje dhe turpëroje".

Për të mos lejuar incidente propozoi të mos ketë prezencë as të policisë e as të SHISH, ndërsa paralajmëroi këdo që do të prekë protestuesit.

"Çdo protestues i lënduar do të konsiderohet i persekutuar politik dhe persekutori i tij do të përgjigjet dhe pas 30 vitesh."

Edhe një herë akuzoi Ramën se ka korruptuar një nga zyrtarët më të lartë të FBI, teksa shtoi se është Ardi Veliu që ka takuar me shpesh McGonigal. Madje ai zbuloi se ka pasur ndërhyrje në drejtësi.

"McGonigal me kërkesë të Ramës ka bërë gjah për prokurorë të caktuar që ti nxjerrë nga sistemi, prokurorët që janë marrë më çështjen e Saimir Tahirit janë nxjerrë nga sistemi."

Etilda Gjoni sipas tij ka udhëtuar në Vjenë për intervistimin që McGonigal akuzohet se i ka bërë një politikani biznesmen shqiptar.

"Edi Rama ka kryer një krim të shëmtuar, nuk ka dashur të shkojë ministrja, përkundrazi i ka bërë të qartë se kjo nuk është detyra e ministrit, të dërgojmë prokurorë. Por Edi Rama ka dërguar Ministren".

Madje ai shton se në gjurmët e McGonigal kishte rënë ish-drejtori i SHISH, Helidon Bendo.

"Atë mori sepse ai ra në gjurmët e McGonigal."

Jo vetëm korrupsion, por Berisha zbulon më shumë.

"Kanë bërë orgjira në klabe nate."

Kryetari i PD-së akuzoi se kryeministri Rama po kërkon të shkatërrojë SHISH ashtu siç ka bërë, sipas tij me Antidrogën dhe Antiterrorin.