Vinicius jr. ndan Spanjën më dysh. E duan dhe e urrejnë...
Viktimë apo provokues? Gjeni apo qarraman? Talent apo lojtar kapriçoz? Rasti i Vinicius jr. ndan Spanjën më dysh. Sulmuesi i Real Madrid, një nga kundërshtarët më të urryer për tifozët e Atletico-s, në jo pak raste është bërë shënjestër e sulmeve të tyre që për shumë janë interpretuar edhe si me sfond racor.
Gjithsesi, ka edhe një pjesë të madhe që sjelljet e tij i konsideron normale edhe pse për momentin, kjo është një çështje që po tërheq vëmendje të madhe në La Liga dhe jo vetëm. Fillimisht, atë e tallnin sepse vraponte shumë dhe nuk arrinte asnjëherë te topi por më pas erdhi Ancelotti dhe ndryshoi gjithçka.
Gjithsesi, ai është “neymarizuar” me shpejtësi dhe është një kopje e shokut të tij aktualisht te PSG. Në këtë mënyrë, madrilenët e bardhë kanë dalë në mbrojtje të talentit që u transferua nga Flamengo shumë vite më parë ndërsa një pjesë tjetër bashkuar këtu edhe “Los Colchoneros” nuk e humbasin rastin për ta intimiduar nga shkallët me metoda demokratike e lojtarë në fushë me mënyra më pak të tilla siç ndodhi në ndeshjen kundër Mallorca-s ku u rrëzua në fushë plot 10 herë por arbitri nuk ndërhyri me karton të verdhë.
Në fushë ka zbritur edhe Carlo Ancelotti i cili u ka treguar spanjollëve se problemi nuk është Vinicius por vetë ata dhe vëmendja duhet të zhvendoset nga braziliani te futbolli i luajtur, përndryshe është pothuajse e sigurt se ashtu siç është ndezur me shpejtësi, mund të fiket në të njëjtën mënyrë një talent që për Realin vlen shumë.
