Kurti vendos kushtet për themelimin e Asociacionit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe mund të konsiderohet me disa kushte, mes tjerash, ai “duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës”.

Një tjetër kusht sipas tij, është që Asociacioni nuk mund të jetë njëetnik “duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave, sipas Kushtetutës dhe Ligjit për vetëqeverisje lokale”.

“Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës, duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve, si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane”, tha ai.

Kushti i katërt sipas tij është që para themelimit të Asociacionit, “strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale”.

“ Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet vetëm pas njohjes reciproke”, është kushti i pestë, sipas kryeministrit.

Dhe e fundit, ai tha se “presidenti serb duhet t’i tërheqë letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së dhe te të tjerat për mospranimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE”./REL