Prishtina proteston kundër Asociacionit, Zhegrova: Kosova nuk mund të bëhet si Bosnja

Liberalizimi i vizave në Kosovë, Parlamenti Europian mirëpret aplikimin e Kosovës për anëtarësim, situata e motit atje, protestat kundër Asociacionit dhe bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje me palënb serbe, ishin temat që u prekën këtë të mërkurë në emisionin “Ditë e re” në RTV Ora, ku e ftuar përmes një lidhjeje me skype ishte gazatarja kosovare. Arianite Zhegrova .

Ajo e cilësoi vendimin e PE-së si një hap pozitiv për vendin dhe një dritë shprese për integrimin e Kosovës drejt familjes evropiane.

Lidhur me protestat kundër Asociacionit, Zhegrova, theksoi se është e papranueshme që Serbia të krijojë zonat e saj në territorin e shtetit të Kosovës.

“Në protesta ka pasur një numër të konsiderueshëm të qytetarëve, dhe ato kanë qenë të qeta, dhe i kanë bërë thirrje autoriteve kosovare që të mos e miratojnë një gjë të tillë”, u shpreh Zhegrova.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë janë shprehur që është e pamundur që Kosova të bjerë në stadin ku ndodhet Bosnja sot.

“Ambasadori amerikan e ka shprehur vendosmërinë e tij për të mbështetur Kosovën në hapat e saj”, tha ajo.

Nëse realizohet Asociacioni çfarë do të sillte kjo si marrëveshje?

Kjo do të thotë që në Veri të Kosovës të ketë institucione të pavarura nga shteti kosovar, duke krijuar komuna paralele. Marrëveshjet e nënshkruara realisht nuk respektohen nga qytetarët serbë në atë pjesë të vendit. Qytetarët mendojnë se shqiptarët që jetojnë atje, ku ka shumicë serbe do t’i dëmtonte shumë. Ndërsa vetë Serbia e pret një gjë të tillë që të ndodhë, ndaj ka disa media atje që vazhdojnë ta propagandojnë këtë duke bërë dhe rolin e viktimës.