Rustemi: Serbia të largojë nga preambula konsiderimin e Kosovës si pjesë e Serbisë, që të normalizojmë raportet

Më 31 janar Ambasada e SHBA ka mbledhur një serë aktorësh të rëndësishëm për diskutimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por a do të ketë vërtet një asociacion?

Deputeti i Kosovës, Adnan Rustemi në një intervistë për Ora News me gazetaren Anila Zyberaj tha se ky takim ishte i rëndësishëm.

Por sipas tij "Kushtetuta e Kosovës nuk e duron dot një asociacion të tillë".

Ai thotë se "nuk është Kosova ajo që duhet të ndryshojë kushtetutën, por është Serbia ajo që duhet ta ndryshojë kushtetutën dhe ta largojë nga preambula konsiderimin e Kosovës si pjesë e Serbisë".

Adnan Rustemi: Dje kishte një takim të rëndësishëm. Ka një marrëveshje të vitit 2013 për asociacioni pastaj ka një marrëveshje tjetër të vitit 2015. Marrëveshja e 2015 është marrëveshja e vetme nga 33 marrëveshje të nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë që i është nënshtruar vlerësimit të kushtetueshmërisë dhe është e vetmja marrëveshje që është konstatuar se është në kundërshtim me 23 nene të kushtetutës së Kosovës. Kushtetuta e Kosovës nuk e duron dot një asociacion të tillë. Një gjë e tillë nuk mund të ndodhë në Kosovë, nuk është Kosova ajo që duhet të ndryshojë kushtetutën por është Serbia ajo që duhet ta ndryshojë kushtetutën dhe ta largojë nga preambula konsiderimin e Kosovës si pjesë e Serbisë. Vetëm kështu ne mund të normalizojmë raportet si dy vende të pavarura.