Trump në garë për president, shpall kandidaturën e tij për zgjedhjet e vitit 2024

“Po fillojmë. Po ia fillojmë nga këtu si kandidat për president.”

Kështu është shprehur ish-Presidenti Donald Trump në fjalimin tij në nisje të fushatës për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Nju Hempshër ishte ndalesa e tij e parë në terren që kur deklaroi kandidimin për tu nisur më pas drejt Karolinës së Jugut. Në këto dy shtete zhvillohen dy nga tre garat e para për nominimin brenda partisë republikane.

Ish-Presidenti Trump njoftoi se Stephen Stepanek kryetari Republikanëve në Nju Hempshër do të jetë këshilltari i tij i lartë përgjatë fushatës.

Sa i përket mbështetësve mediat shkruajnë se disa mendojnë se ka ende mbi një vit kohë deri në votimet paraprake, ndaj është tepër herët për tu shprehur, e të tjerë po presin të shohin se kë do të ketë përballë. Të tjerë kanë thënë se është koha për tu orientuar drejt një gjenerate të re drejtuesish.

Megjithëse Trump mbetet kandidati i vetëm i deklaruar për zgjedhjet presidenciale 2024 deri më tani, sfidantë të tjerë të mundshëm janë Guvernatori i Floridas Ron DeSantis, ish-Nënpresidenti Mike Pence dhe ish-Guvernatorja e Karolinës së Jugut Nikki Haley. Edhe ata pritet të fillojnë fushatat e tyre elektorale gjatë muajve të ardhshëm.

Ndërkohë Trump vazhdon të jetë objekt i disa hetimeve penale, përshirë zbulimin e qindra dokumenteve të klasifikuara në pronën e tij në Florida, e se pengoi drejtësinë duke refuzuar t’i dorëzojë ato.

Ai gjithashtu po hetohet në nivel federal dhe shtetëror për përpjekjet për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020, kur ai humbi përballë demokratit Joe Biden.