Pas atentateve, Izraeli lehtëson pajisjen me armë për qytetarët

Pas atentateve në Jerusalemin lindor, kabineti qeveritar izraelit ka nisur diskutimet për të lehtësuar pajisjen e qytetarëve me armë. 

“Jemi të përgatitur për çdo skenar”, ka thënë kryeministri Netanjahu për këtë çështje.

Ndërkaq zyra e kreut të qeverisë ka bërë të ditur se procedura parashikon marrjen në një periudhë më të shpejtë të lejes për armëmbajtje dhe me kushte të lehtësuara.

Megjithatë në masat e para është dhe ndërhyrja e ushtrisë për të mbledhur armët që mbahen në mënyrë të paligjshme

Pavarësisht kësaj pas mbledhjes së zhvilluar me urgjencë Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu u bëri thirrje qytetarëve izraelitë të mos e marrin vetë në dorë ligjin, por të lenë ushtrinë, qeverinë dhe forcat e sigurisë të bëjnë punën.

Në takimin e ministrave u vendos që të ketë masa ndaj familjeve që mbështesin terrorin. Në këtë draft parashikohet shkurtimi i ndihmës sociale dhe deri në heqjen e shërbimeve shëndetësore.

Sinjali i alarmit u ndez pas atentatit në një sinagoge në Jerusalemin lindor ku u shënuan 7 viktima.

Ngjarja shkaktoi edhe protesta të shtunën kundër qeverisë. Në tubime u kundërshtuan projektet e bëra të ditur nga ministria e drejtësisë për ligje që sipas kundërshtarëve prekin drejtësinë.

Gjendja e sigurisë në Izrael dhe në zonat palestineze u ashpërsua jashtëzakonisht së fundmi. Në një sulm të forcave izraelite të sigurisë në një kamp refugjatësh në Dxhenin të enjten u vranë nëntë persona, sipas të dhënave palestineze.