Zgjedhjet në Çeki, një gjeneral merr Presidencën
Çekia ka në krye të shtetit një ish-gjeneral të NATO-s. Peter Pavel fitoi zgjedhjet përballë ish-kryeministrit miliarder Andrej Babis, një figurë polarizuese në politikën çeke gjatë dekadës së fundit.
Gjenerali në pension i NATO-s, Petr Pavel, është zgjedhur presidenti i ri i Republikës Çeke. Ai mundi ne balotazh kundërshtarin populist Andrej Babis. 61-vjeçari mori 57.6% të votave.
Babis , i cili shërbeu si kryeministër midis 2017 dhe 2021, pranoi humbjen në një fjalim para mbështetësve menjëherë pas shpalljes së rezultateve. Balotazhi u portretizua si një garë midis oligarkisë populiste dhe demokracisë liberale.
Rezultatet e zgjedhjeve pasojnë një fushatë të dominuar nga kërcënimet e supozuara me vdekje dhe dezinformata. Petr Pavel, që bëri fushatë si i pavarur dhe kishte mbështetjen e qeverisë së qendrës së djathtë, përcolli një mesazh uniteti dhe qetësie kur foli në Pragë pas fitores.
"Vlerat si e vërteta, dinjiteti, respekti dhe modestia fituan," u tha Pavel mbështetësve dhe gazetarëve.
Ai zëvendëson në këtë detyrë Milos Zeman , një president që kishte nxitur lidhje më të ngushta me Pekinin dhe me Moskën.
Posti i presidentit është kryesisht ceremonial në Çeki, por kreu i shtetit zgjedh kryeministrat dhe krerët e bankave qendrore, ka një zë me peshë në politikën e jashtme dhe mund të nxisë qeverinë të ndjekë politika të caktuara.