Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së pritet të fillojë në 1 mars
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thënë se është e gatshme që gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të fillojë më 1 mars të këtij viti. Gjatë konferencës së fundit përgatitore, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) tha është gati të fillojë gjykimin, pavarësisht volumit të punës, procedurave dhe dokumenteve që duhet të shqyrtohen.

Gatishmërinë për fillim të gjykimit në muajin mars kanë shprehur edhe avokatët mbrojtës të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës Rexhep Selimi.
Avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Ben Emerson tha se ekipi i tij është i gatshëm për fillim të gjykimit në muajin mars, megjithatë ai tha se “kanë para vetes një periudhë jashtëzakonisht intensive pune” deri në fillimin e gjykimit.
Krerët e UÇK-së akuzohen për krime lufte gjatë luftës ndaj Serbisë në Kosovë dhe për trafik të qenieve njerëzore.
Prej vitit 2020, ish krerët e Ushtrisë Çlrimtare të Kosovës po mbahen në ambientet e paraburgimit të Hagës. Ndërsa avokatët e tyre mbrojtës kanë argumentuar se ndaj tyre ende nuk ka prova dhe akuza konkrete mbi atë për të cilën akuzohen.

