"Spare” po keqinterpretohet, Princi Harry akuzon shtypin britanik se po nxjerr fjalët nga konteksti
Libri i Princit britanik Harry “Spare” vazhdon të shkaktoje polemika. I shumëkritikuar për disa nga rrëfimet e tij për familjen mbretërore, princi ka reaguar së fundmi në një television amerikan duke sqaruar disa çështje që sipas tij janë keqinterpretuar dhe kjo po rrezikon familjen e tij.
Libri i Princit britanik Harry “Spare” ose “Rezërvë” vazhdon të shkaktoje debate dhe polemika.
I shumëkritikuar për disa nga rrëfimet e tij për familjen mbretërore, princi ka reaguar së fundmi në një television amerikan duke sqaruar disa çështje që sipas tij janë keqinterpretuar. Sipas Harryt, pretendimet se mburrej për vrasjen e 25 luftëtarëve talebanë në Afganistan janë një "gënjeshtër e rrezikshme".
" Pa dyshim, gënjeshtra më e rrezikshme që ata kanë thënë, është se unë disi u mburra me numrin e njerëzve që vrava në Afganistan. Nëse do të dëgjoja dikë që mburrej për një gjë të tillë, do të zemërohesha, por është një gënjeshtër.”
“I gjithë qëllimi im dhe përpjekja ime me ndarjen e këtij detaji është të zvogëloj numrin e vetëvrasjeve të veteranëve”, shtoi ai.
Në një intervistë me Stephen Colbert në “The Late Show” - e para e realizuar pas botimit të detajeve nga libri - Harry nënvizoi se kishte pasur përpjekje për të sabotuar librin e tij dhe sulmoi "shtypin britanik”, duke u shprehur se i nxirrte fjalët e tij jashtë kontekstit.
"Është me të vërtetë shumë shqetësuese... Fjalët e mia nuk janë të rrezikshme - por interpetimi i fjalëve të mia është shumë i rrezikshëm për familjen time. "
Kur u pyet në lidhje me vëllain e tij Princi William që dyshohet se e shtyu atë gjatë një debati, ai i tregoi audiencës gjerdanin që u thye në incident.
"Ky është gjerdani, por tani është rregulluar. Kemi rrahjet e zemrës së fëmijëve të tanë, gdhendjet e leximeve të tyre të kardiogramit," shpjegoi ai.
“Spare”, i cili u botua të martën, është bërë libri jo-fiction më i shitur ndonjëherë në Mbretërinë e Bashkuar. Rreth 400,000 kopje janë blerë, pavarësisht se shumë fragmente u zbuluan në shtyp përpara publikimit të tij zyrtar.