Rusët bombardojnë spitalin, godasin godinën e kujdesit për foshnjat

Forcat ruse kanë bombarduar sërish spitalin e Khersonit. Zyrtarët lokalë ukrainas, thanë se predhat goditën pjesën e godinës ku ndodhet kujdesi shëndetësor për foshnjat e porsalindura, por fatmirësisht veç dëmeve materiale nuk ka pasur dëme në njerëz. Ndërkaq presidenti ukrainas u ka hequr shtetësinë katër deputetëve të akuzuar për lidhje me Rusinë.

Trupat ruse bombarduan përsëri spitalin rajonal të fëmijëve në Kherson. Ndërtesa u dëmtua, por sipas autoriteteve ukrainase, nuk pati viktima. kreu i zonës, Yaroslav Yanushevich shkroi në rrjetet sociale se okupatorët rusë po vazhdojnë të luftojnë me spitalin klinik rajonal të fëmijëve në Kherson.

Sipas tij, natën e kaluar, ata sulmuan përsëri objektin mjekësor – dhe qëlluan në vendin ku ofrohej kujdes mjekësor për foshnjat e porsalindura". Ndërkaq, krahas betejës ushtarake, kievi dhe moska janë përfshirë edhe në një hakmarrje diplomatike, pasi Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka revokuar shtetësinë katër deputetëve ukrainas të dyshuar për tradhti.

Sipas presidentit ukrainas, kjo u bë “bazuar në materialet e përgatitura nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës dhe nga Shërbimi Shtetëror i Sigurisë”. Të paktën tre prej personave të cilëve iu hoq shtetësia, gjenden jashtë vendit dhe që të gjithë janë nën procedime ligjore nën dyshimet për tradhti, që kur Rusia nisi luftën në Ukrainë në fund të shkurtit të vitit të kaluar.

“Nëse përfaqësuesit e zgjedhur të popullit zgjedhin të shërbejnë jo për popullin e Ukrainës, por për vrasësit, veprimet tona do të jenë të përshtatshme”, tha Zelensky gjatë një adresimi në orët e vona të 10 janarit. Ai paralajëmroi se ndëshkime të tilla do të vazhdojnë në të ardhmen.

Shtetësia iu hoq deputetëve Andriy Derkach, Taras Kozak, Renat Kuzmin, dhe Viktor Medvedchuk. Ata ishin zgjedhur në Parlamentin ukrainas, nga partia Platforma Opozitare për Jetë, parti, e cila aktualisht është e ndaluar në Ukrainë.

Derkach ka qenë deputet për më shumë se dy dekada, por hetuesit besojnë se ai ka pranuar më shumë se gjysmë milioni dollarë nga agjencitë e zbatimit të ligjit dhe të inteligjencës së Rusisë “për aktivitete subversive kundër Ukrainës gjatë viteve 2019-2022”.

Ai nuk ka marrë pjesë në asnjë seancë plenare që nga shkurti i vitit të kaluar. Politikani Medvedchuk, kumbara i bijës të së cilit thuhet se është presidenti rus, Vladimir Putin, ishte arrestuar në prill dhe i ishte dorëzuar Rusisë në shtator gjatë një këmbimi të të burgosurve.

Ndërkaq, Kozak është larguar nga Ukraina më 2021. Hetuesit kanë thënë se ligjvënësi i katërt, Kuzmin, “ka publikuar në media materiale propaganduese në dëm të Ukrainës”. Asnjëri nga katër ligjvënësit nuk e ka komentuar publikisht vendimin e Zelenskyt.