Tensionet në Veri, Kurti: Shtimi i trupave të NATO-s përmirëson sigurinë dhe paqen në vend e në Ballkan
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë thirrje për një prani të shtuar të forcave paqeruajtëse të NATO-s në vend.
“Një përforcim masiv i trupave dhe pajisjeve ushtarake të NATO-s në vendin tonë do të përmirësonte sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Kurti në një intervistë për gazetën gjermane “WELT”.
Pas tensioneve të fundit midis Kosovës dhe Serbisë fqinje, Kosova dëshiron të rrisë numrin e trupave të NATO-s në terren nga dislokimi aktual prej gati 3,800 trupash. KFOR-i është i pranishëm në Kosovë që nga viti 1999.
"Një rritje e numrit të ushtarëve në forcën paqeruajtëse të furnizuar nga NATO KFOR do të mbështeste përpjekjet tona në mbrojtje", u shpreh Kurti, duke përmendur një akumulim të forcave dhe artilerisë serbe në kufi, si dhe intensifikimin e retorikës nga Rusia dhe Serbia, arsye këto për nevojën për më shumë trupa të NATO-s në Kosovë.
Dialogu Kosovë-Serbi nuk ka pasur rezultate konkrete as në vitin 2022. Krizat dhe tensionet e njëpasnjëshme mes Kosovës dhe Serbisë, i thelluan edhe më shumë polarizimet mes palëve, përkundër që gjatë vitit të kaluar doli në pah edhe plani franko-gjerman për dialogun.
Madje, kulmi i tensioneve arriti në muajin dhjetor, ku mbi tri javë rrugët në katër komunat veriore ishin bllokuar nga barrikadat e vendosura nga strukturat ilegale dhe serbët lokal atje. Me vetëm dy takime të nivelit të lartë, ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, marrëveshja finale ishte larg e arritshme edhe gjatë vitit të kaluar.

