Izraeli vendos testin e Covid për udhëtarët nga Kina
Ministria izraelite e Shëndetësisë njoftoi sot vendosjen e testeve Covid për udhëtarët e huaj nga Kina, e cila po përjeton një shpërthim të rasteve të koronavirusit.
Ministri i Shëndetësisë Arie Deri, i cili mori detyrën të enjten mbrëma, pati një takim sot me zyrtarë të lartë të shëndetit publik për të vlerësuar ndikimin në Izrael të rritjes dramatike të numrit të rasteve të virusit në Kinë.
“Gjatë takimit u vendos që të udhëzohen linjat ajrore të huaja që të pranojnë shtetas të huaj në një fluturim nga Kina në Izrael vetëm nëse kanë një test (negativ) për Covid”, nënvizohet në deklaratë.
Ministri bëri thirrje gjithashtu për krijimin e një qendre diagnostike "vullnetare" për njerëzit që kthehen nga Kina dhe i këshilloi ata të "shmangin" udhëtimin në atë vend.
Heqja e kufizimeve shëndetësore nga autoritetet kineze ka rezultuar në një shpërthim të mprehtë të rasteve të koronavirusit në Kinë, pas braktisjes së menjëhershme të të ashtuquajturës "politika zero Covid" në vend.
Kina ka njoftuar përfundimin e karantinës së detyrueshme me mbërritjen në territorin e saj nga 8 janari dhe rifillimin gradual të udhëtimeve jashtë shtetit për kinezët, gjë që ka shqetësuar shumë vende, përfshirë SHBA-në.
Një pionier në vaksinimin kundër Covid, Izraeli kishte vendosur teste për udhëtarët e huaj dhe madje edhe përjashtime të veçanta për fluturimet nga vende të caktuara përpara se të hiqte pothuajse të gjitha këto masa në fillim të vitit 2022.
Më herët sot, përpara njoftimit të Izraelit, Spanja njoftoi se udhëtarët nga Kina në Spanjë do të duhet të ketë një test negativ për koronavirusin e ri ose një certifikatë të vaksinimit të plotë kundër Covid-19.
