Varfëria nuk ka brirë

Dëgjova Ministren e Bujqësisë se na ka mbytur prodhimi i ullirit dhe se nuk po menaxhohet dot.

Në fakt ne jemi dramë në këtë sektor. Duhet të ishte lokomotiva e bujqësisë tonë sepse kemi avantazh krahasues me gjithë globin. Nga 760 milionë pemë ulliri që ka në planetin tonë, 97% ndodhen në Mesdhe pasi vetëm këtu e bënë klima.

Në fund të viteve 1990 Shqipëria kishte trashëguar nga gjithë historia e vetë bujqësore 42 500 ha ullishte në një total prej afro 6 milion rrënjë ulliri.

Aktualisht numërohen afro12 milion pemë ulliri, me më shumë se 28 lloje – mesdhetare tipike. Vendi ynë ka 8 varjetete autoktone ndër të cilët: “Kalinjot”, “Krypi Beratit”, “Bardhi i Tiranës”, “Krypsi i Elbasanit”, “Mixan” dhe “Himara”.

Numri i pemëve të mbjella në prodhim arrin rreth 10 milionë.

Prodhimi i ullirit për vitin 2021 ishte 110, 164 ton.

Prodhohen në vend mbi 4 litra vaj /banorë. 

Duke llogaritur importet, konsumi i vajit të ullirit është rreth 5 litra/banorë.

Konsumi i vajit të ullirit është më i ulti në krahasim me vendet e tjera prodhuese të vajit të ullirit si Italia, 16 litra/banor, Greqia 21 litra/banor. Madje ne harxhojmë mesatarisht më pak vaj ulliri se shumica e vendeve jo prodhuese të Europës.

Kemi shumë prodhim thotë përfaqësuesja e shtetit. Në fakt kemi pak prodhim. Duhet të kishim të paktën 4 herë më shumë. Ne makina nuk eskportojmë dot, por vaj ulliri patjetër që do duhej të eksportonim me shumicë.

Shembull: Greqia ka rreth 140 milion pemë ulliri. Ne kemi vetëm 12 milion.

Ne kemi aq sa ende importojmë nja 800 tonë vaj ulliri, kur do duhej të eksportonim nja 60 000 ton.

Imagjinoni republikat e bananeve të importonin banane... se ne si republikë ulliri importojmë.