Krijimi i Frymës…

Struktura e Posaçme SPAK, përgjatë këtyre 3 vjetëve ka pasur një mungesë thelbësore, siç është fryma e grupit.

Krijimi i një fryme grupi, ideali dhe vullneti për ti bërë gjërat pa tolerancë, ashtu siç janë, ka munguar në SPAK.

Ish-drejtuesi 3-vjeçar Arben Kraja, nuk mundi dot të ngrinte një frymë grupi, duke përçarë në çështje të caktuara prokurorët e SPAK.
Dhe kjo më së pari erdhi, duke bërë zgjedhje të përveçme dhe të paracaktuara, në ndarjen e disa dosjeve të rëndësishme tek prokurorë të caktuar.
Shkurt u luajt me shortin e ndarjes së çështjes dhe rregulloren e brendshme.

Mbi të gjitha në SPAK, u fut fryma e vonesës hetimore, që sillte zbehjen, humbjes së aktualitetit të çështjes dhe deri tek demotivimi i prokurorëve, duke i vonuar hedhjen e firmës finale nga Drejtuesi.
Edhe pse ata kishin mbaruar veprimet hetimore dhe të pandehurin ishin gati për gjyq.

SPAK u hermetizua në mënyrë të çuditshme, deri aty sa edhe kur gazetarët tradicionalë, ftoheshin për një gotë verë për festën e Vitit të Ri, duhet të dorëzonin tek sporteli i Gardës së Republikës, telefona, çelësa, kamera, monedhat e hekurit, e deri tek rrypi i pantallonave.

Çudia e urdhëresave, shkoi deri aty sa kur “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” protestonte para SPAK, këshillat që vinin në grup nga titullari për prokurorët, ishin që të shmangnin sa më shumë daljet nga ana e Gjykatës së Posaçme, aty ku protestohej dhe ndodheshin kamerat.

Këtë javë SPAK, do ketë zyrtarisht një drejtues të ri, siç është Altin Dumani.
Prokurori i preferuar i Amerikanëve dhe deri diku më kurajozi i trupës së prokurorëve që ka SPAK, ka shumë punë për të bërë, jo vetëm në dosjet që ai përfaqëson por edhe tek organizimi i institucionit.

Së pari, krijimi i një fryme grupi, është thelbësorja. Në ciklonin e trysnive kritike ku ndodhet SPAK dhe kallëzimeve ndaj disa prokurorëve, krijimi i një fryme grupi është thelbësore.

Gjithashtu në kulmin e një gare në KLP me trysni dhe presione, Altin Dumani, duhet të vlerësojë si titullarë, dy kandidatët humbës Adnand Xholin dhe Edvin Kondilin. Dumani të emërojë në krye të seksionit të Krimit të Organizuar, Adnand Xholin.

Altin Dumani, e di shumë mirë çështë fryma e grupit dhe shembujt e kësaj gjëje, besoj se i ka qysh në vitet e para të funksionimit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Emrat dhe figurat në këtë prokurori, se ku duhet të marë shembull, më mirë se Dumani nuk i di kush aty në SPAK.

Së dyti, Altin Dumani duhet të mos filtrojë me politikën.

Së treti, Altin Dumani duhet të krijojë frymën e transparencës mes vetes. Duke ndarë dosjet penale përmes shortit të rregullt elektronik dhe jo përmes preferencave të Drejtuesit.

Së katërti, Altin Dumani, duhet të ndryshojë rregulloren e Brendshme të SPAK.

Së pesti, që është më e rëndësishme Dumani, duhet të shtyjë prokurorët në analiza hetimi më të thelluara për çështjet sensitive dhe ndjekjen e hetimeve me metoda proaktive.

Së gjashti, Altin Dumani, duhet të motivojë dhe dhënë guxim prokurorëve që të kapërcejnë përtej çështjes së inceneratorit të Fierit dhe Elbasanit. Ka dhe të tjerë inceneratorë në Shqipëri.

Së shtati, Altin Dumani, duhet të qartësojë tek dosja e vrasjeve me pagesë “Dumani”, se sa të penduar ka në këtë çështje. Ekziston 1 i penduar apo 5 të tillë. Vetëm në këtë rast kam dëgjuar, që në një dosje ka 5 të penduar.

Në çdo dosje ku ka pasur të penduar, ka ekzistuar 1 i tillë. Tek “Dumani” janë 5 të tillë.

Çfarë thotë njëri, nuk e thotë tjetri për një episod kriminal.

Së Teti, Altin Dumani, duhet të kapërcejë mbi kunjukturat politike dhe të godasë me çështje penale, individë të kësaj klase qeverisëse dhe Oligarkësh, që drejton vendin 20 vitet e fundit.

Që kanë vjedhur pronat publike, burimet natyrore dhe jetën e të rinjve.

Nga Elton Qyno