Kulla

Tirana dhjetor 2022 e ky është Sheshi kryesor i këtij kryeqyteti me 40 mijë metra katror sipërfaqe që e bën dhe sheshin më të madh të Shqipërisë.

Këtë emër e ka marrë në 1968 ku në krah të tij u vendos monumenti i Skënderbeut i cili zëvendësoi shtatoren e Josif Stalinit.

Në këtë video i ngjan sot një cirku, por të kalosh në të, sheshi shfaqet si një kamp emergjence me platforma argëtuese hedhur kuturu, gjeneratorë, furra, stola, oxhaqe, aroma, kablla, tela, struktura hekurash, drunjsh që mbushin këtë hapësirë për të ngopur njerëzit e uritur për argetim o për të hutuar njerëzit e mbytur nga jeta.

Ky shesh sot shfaqet si një gropë e vënë përfund nga zhurma, kaosi, antietika, anti arkitektura urbane e sociale, e nga dhjetra vinca që e rrethojnë si në një operacion pushtimi i strategjisë militare.

Kudo rreth hapësirës së tij që sot veshtirë ta besosh se vazhdon të jetë 40 mijë metra, ngrihen qiellgërvishëse që shtohen cdo ditë e që e rrethojnë si laku i një litari në fytin e një të dënuari me vdekje.

Mbi to vinca, vinca e vinca që syri njerëzor nuk mund t'ia kap dot lartësinë.

Në lindje, në veri, në perëndim në jug, majtas e djathats nga Dajti o nga Durrësi, kudo që të hedhësh sytë sheh vec beton, cimento, gura, tabela, e një lëmsh urbanistik që as impresionistët e artit nuk do ta kishin mundur kurrë ta pikturonin.

Zhurmë e vinca, kate e figura gjeometrike nga më të cuditshmet veshin horizontin vertikal të qendrës së Tiranës e që vec fantazuesit indiferente e papërgjegjës të asaj cka po ndodh me këtë qytet, i quajnë arkitekturë moderne.

Kullat duket sikur garojnë se kush është me lartë se tjetra, ndërsa njerëzit që shëtisin pranë tyre kanë harruar të ngrejnë kryet.

Rrugicat që të cojnë në sheshi Skenderber janë pyllëzuar me shkurre që rriten pa asnjë rregull natyror, e thahen pa u lulëzuar.

Bimësia karakteristike e natyrës së zonës është betonizuar duke tharë burimet e helmuar tokën.

Këto jane kullat e Tiranës!

Nuk numërohen më; i gjen pas cdo kthese ajri mbi qiellin e qëndrës së Tiranës.

Janë kulla helmi qe po i marrin frymën sipërmarrsëve të ndershëm.

Janë kulla qe po mbajnë peng jetën e familjeve shqiptare

Jane kulla plehrash qe thajnë pemët, lulet, natyrën shqiptare.

Janë kulla me të cilat po eleminohet historia, arti, kultura shekullore

Janë kulla me të cilat kërcënohen banorët e rinj e autoktonë të Tiranës.

Janë kulla diktatoresh qe vjedhin prona e banesa autoktonësh.

Janë kulla lavatrice që pastrojnë kapitalet e pista të ortakërise oligarke të orgjisë politike.

Janë kulla eksodi që largojnë femijët nga prindërit.

Janë kulla genocidi që zhdukin memorien e një kombi.

Janë kulla shërbimi ndaj ilegalitetit.

Por ne banorët, qytetarët e Tiranës njohim vetëm një Kullë!

Kullën e Sahatit që shënon orën e një qyteti e të një kombi, e mat kohën!

Kohë që në këtë qytet kurdiset sipas porosive të orkestrës së pushtetit

Kjo luftë per Kulla është Lufte brenda sojit!

E ka vec një shpëtim nga kush do të mund të fitoi Tiranën!

Kulla