Kërkimet e vitit në “GOOGLE”
Shëndeti mendor është kryefjala e kërkimeve të këtij viti nga përdoruesit e internetit në mbarë botën. Motori i kërkimit “Google” publikoi listën vjetore "Viti në Kërkim" dhe materiali në vijim ju njeh me termat më të klikuar.
Motori i kërkimit “Google” publikoi listën vjetore "Viti në Kërkim" për të treguar se cilët terma shënuan rritje gjatë vitit 2022.
Përdoruesit e internetit në mbarë botën ishin të shqetësuar për rimëkëmbjen fizike dhe mendore, si të bëhemi më të fortë fizikisht dhe si të përballemi me çështje si ankthi, depresioni, çrregullime të vëmendjes etj.
Ndryshe nga viti i kaluar mungojnë dukshëm tema si Covid-19, vaksinimi dhe parandalimi i infeksionit. Në vend të kësaj, kërkimet e këtij viti u përqendruan në fjalën “stërvitje”: "stërvitjet për peshën trupore", "stërvitjet javore", "ushtrimet për shëndetin mendor" dhe "stërvitjet kryesore në palestër" ishin ndër kërkimet më popullore.
Përdoruesit e “Google” pyetën gjithashtu "si të trajtojmë stresin", "si të ndalojmë një sulm paniku", "si të kurojmë depresionin". Ata kërkuan gjithashtu praktika të mira të shëndetit mendor për të vegjlit, me kërkime për ushtrime të frymëmarrjes për fëmijët.
Ndër termat e njohur ishin kërkimet për më shumë burime mbi shëndetin mendor, si libra, podkaste dhe teknika të ditarit që synojnë përmirësimin e mirëqenies." Pranimi i një ngjarjeje shqetësuese ka vlerë, dhe të shkruarit për të e ndihmon gjithashtu personin ta kuptojë atë", shpjegojnë ekspertët.
Një ndryshim i rëndësishëm këtë vit ishte shtimi i Linjës Kombëtare të Parandalimit të Vetëvrasjeve për krizat e shëndetit mendor. Numri është 988, i disponueshëm në të gjithë Shtetet e Bashkuara, ishte ndër kërkimet e lidhura me shëndetin që shënuan një rritje këtë vit.