Rusia sulmon sërish Ukrainën, 5 të vrarë, dhjetëra të plagosur në Herson

Të paktën pesë persona u vranë dhe 20 të tjerë u plagosën nga bombardimet ruse në qendër të qytetit të Hersonit. Ka qenë ky informacioni që administrata presidenciale ukrainase shpërndau më 24 dhjetor.

Kyrylo Tymoshenko, nënkryetari i Zyrës Presidenciale të Ukrainës, postoi të shtunën në rrjetin e tij në Telegram, fotografi të njerëzve të pajetë, në qendër të qytetit, i cili ishte çliruar kohët e fundit nga pushtimi rus.
"Rusët kanë kryer përsëri terror dhe kanë sulmuar qendrën e qytetit", tha ai. “Kanë vdekur njerëz dhe ndërtesat janë shkatërruar”.

"Shumë njerëz kishin dalë në rrugë, pasi ishte fundjavë” tha ai.

Ndërkohë Mykhailo Podolyak, Këshilltar i Lartë i Presidentit Ukrainas, ka bërë thirrje për shkatërrimin e fabrikave iraniane që prodhojnë dronë dhe raketa. Ai po ashtu ka kërkuar edhe arrestimin e furnizuesve të tyre.

Kievi e ka akuzuar Teheranin se ka furnizuar Moskën me 1.700 dronë kamikazë Shahed-136, të cilat sipas tyre janë përdorur për të goditur objektivat në Ukrainë.

Ndërkohë Presidenti Ukrainas,Volodymyr Zelenskyy, kishte paralajmëruar një ditë më parë për sulme të mundshme ruse gjatë ditëve festive të fundvitit.

Presidenti u takua me udhëheqësit ushtarakë Ukrainas më 23 dhjetor, pasi u kthye në Kiev nga Uashingtoni, ku tha se ushtria po përgatitet për muajt dhe vitin e ardhshëm. "Detyrat tona mbesin të pandryshuara. Ky është çlirimi i tokës sonë, është siguria për popullin tonë, rindërtimi i vendit tonë pas sulmeve ruse. Këto janë hap pas hapi në rrugën drejt fitores”, u shpreh ai.