FSHF, Duka viziton Shtëpinë e Foshnjës

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka vizitoi këtë të shtunë Shtëpinë e Foshnjës dhe shpërndau dhurata për të gjithë fëmijët, teksa gëzimi dhe emocionet e vogëlushëve ishin të mëdha, ndërsa dhuratat simbolike dhe festa e organizuar nga Federata e Futbollit solli një ditë ndryshe për fëmijët e vegjël.

Më këtë rast Presidenti Armand Duka falënderoi të gjithë stafin që kujdeset për këta fëmijë dhe i krijojnë vogëlusheve kushte të mira, ndërsa i uroi festat e fundvitit të gjithë shqiptarëve.

“Në radhë të parë dua të falënderoj të gjithë stafin që punon me këto fëmijë sot, drejtoreshën kryesisht dhe edukatoret që i krijojnë kushtet fëmijëve në këtë shtëpi vërtetë simpatike me kushte të mira. Kuptohet që jemi në një moment feste dhe në mënyrë simbolike kemi zgjedhur jo për herë të parë, por për herë të dytë Shtëpinë e Fëmijës në Durrës për t’i uruar Gëzuar Vitin e Ri dhe për të shpërndarë disa dhurata simbolike për t’i uruar festat atyre festat dhe të gjithë fëmijët e Shqipërisë. Urojmë që të kenë një jetë sa më të mirë në 2023, sa më shumë shëndet, të rriten në mënyrë sa më normale dhe të kenë sa më shumë suksese, jo vetëm fëmijët e ‘Shtëpisë së Fëmijës’ në Shkozet, por të gjithë fëmijët e Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë. Edhe njëherë dua ta falënderoj drejtoreshën për mundësinë që na dha dhe për këtë festë”.

Ndërkaq, edhe drejtoresha e këtij institucioni, Mimoza Xhelilaj falënderoi Presidentin Duka për vizitën dhe uroi shëndet dhe suksese për të gjithë në këto prag festash.

“Janë ditë të bukura, janë ditë festive, atmosfera është e gëzuar dhe ne jemi të gëzuar. Sot dua të falënderoj zotin Duka. Tashmë po kthehet në traditë vëmendja në Shtëpinë e Foshnjës. Ju falënderoj shumë dhe uroj që Kombëtarja të ketë suksese dhe uroj shëndet për të gjithë”.

Kjo vizitë në Shtëpinë e Foshnjës vjen në vazhdën e aktiviteteve me karakter social që Federata Shqiptare e Futbollit ka ndërmarrë vazhdimisht me fokus fëmijët dhe shtresat vulnerabël.