Gjak për fëmijët talasemikë, Fushatës së Kryqit të Kuq i bashkohet dhe sopranoja Inva Mula

Institucioneve shëndetësore në një vit u nevojiten rreth 40 mijë njësi gjaku. Krahasuar me nevojat, dhurimet janë të ulëta. Thirrje për ndërgjegjësim bëri të hënën edhe sopranoja, Inva Mula.

Ishte disa vite të shkuara kur dha gjak për herë të parë duke i ardhur në ndihmë një të afërmi.

Aty kuptoi se nevojat ishin të mëdha, e prej asaj kohe Inva Mula është kthyer në një dhuruese të rregullt.

Inva Mula: Në momentin që shkova në spital ,dhe pashë se sa e nevojshëm ishte gjaku, në ato momente i njeriut të shëndetshëm, atëherë vendosa që kjo të bëhet dy herë në vit nga ana ime, në mënyrë vullnetare.

Në ditën ndërkombëtare të vullnetarizmit, sopranoja e njohur ju bashkua fushatës së Kryqit të Kuq për fëmijët talasemikë, duke iu bërë thirrje për ndërgjegjësim dhe artistëve të tjerë.

Inva Mula: Nuk është vetëm mirë për njerëzit që ti jep, por është mirë ty, sepse çdo gjak që ti ndërron  është një gjak i ri, organizmi i ristarton dhe është shumë mirë, prandaj po them bëni mirë për të tjerët po bëni mirë dhe për veten tuaj.

Gjak për fëmijët talasemikë, Fushatës së Kryqit

Gjak për të vegjlit që vuajnë nga kjo sëmundje dhuroi edhe Erdi, student i Universitetit të Mjekësisë.

Erdi Jaupi: Në qoftë se ke dhuruar gjak, ti ke shpëtuar një jetë. Duke marrë parasysh fëmijët talasemik që kanë shumë nevojë për gjak apo persona të cilët kanë kaluat aksidente të ndryshme trauma.

Nga Kryqi i Kuq thonë se çdo vit nevojiten rreth 40 mijë njësi gjaku.

Artur Katuçi: Në Shqipëri nevojat për gjak janë të mëdha, është sëmundja e talasemisë por janë dhe një sërë operacionesh dhe sëmundje të tjera që kanë nevojë për gjak. Nevojat shkojnë deri në 40 mijë  njësi gjaku në vit. Vetëm nga dhurimet vullnetare arrin 20 seri në 25 % të sasisë së nevojshme të gjakut.

Krahasuar me nevojat, dhurimet mbeten shumë të ulëta.

Artur Katuçi: Shifra është e ulët akoma  kur themi 20 deri në 25 % që sigurohet nga dhuruesit është e pakët, duke e pasur parasysh që disa vite më përpara përqindja e dhuruesve vullnetarë ishte e papërfillshme.

Sipas të dhënave rezulton se në Shqipëri janë rreth 600 fëmijë që vuajnë nga talasemia, e kanë nevojë për transfuzion gjaku, çdo 2-3 javë.

Gjak për fëmijët talasemikë, Fushatës së Kryqit


Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.