Papa qau për Ukrainën: Zot, ne kemi kohë që kërkojmë paqe

Papa Françesku shpërtheu në lot teksa foli për luftën në “martirizimin” e Ukrainës gjatë një ceremonie pasditen e sotme në qendër të Romës.

Me rastin e një ceremonie tradicionale për të festuar Ngjizjen e Papërlyer, Papa shkoi pasdite në Piazza di Spagna, sheshin në kryeqytetin italian ku ndodhet shtatorja e Virgjëreshës Mari.

"O Virgjëreshë e Shenjtë, sot desha t'ju përcjell falënderimet e popullit ukrainas..." filloi të lexojë, duke qëndruar në këmbë, fjalimin e tij, por ndaloi, i prekur dukshëm.

Ndërsa trupi i tij dridhej nga të qarat me lot në sy, Papa heshti për një kohë të gjatë, derisa turma filloi ta duartrokiste.

Françesku më pas vazhdoi fillin e fjalimit, duke u mbështetur në krahun e karriges së tij, por duke qëndruar drejt:

"... e popullit ukrainas për paqen që ne i kërkojmë Zotit prej disa kohësh."

“Më duhet t’ju ​​përcjell edhe lutjen e fëmijëve, të moshuarve, baballarëve dhe nënave, të rinjve të kësaj toke martire që po vuan shumë”, vazhdoi ai me zërin që i dridhej nga emocioni.

Papa ka bërë thirrje të vazhdueshme për paqe që nga fillimi i pushtimit rus në fund të shkurtit.

Ai i referohet kësaj shumë shpesh sa herë që flet.

Në një intervistë të botuar në fund të nëntorit në revistën amerikane të krishterë 'America', ai iu referua "barbarizmit" që po përjeton Ukraina për shkak të luftës.