Austria bllokon hyrjen e Rumanisë dhe Bullgarisë në Schengen

Siç kishte paralajmëruar, Austria do të vendosë veton ndaj Bullgarisë dhe Rumanisë me qëllim moshyrjen e dy vendeve të BE-së në zonën Shengen. Vjena zyrtare thotë se vendimi u mor, pasi dy shtetet kanë probleme me emigrimin

Ministri i Brendshëm i Austrisë, Gerhard Karner tha të enjten se vendi i tij do të vendosë veton ndaj dy vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, Rumanisë e Bullgarisë për t’iu bashkuar zonës Schengen e cila synon lëvizjen pa pasaporta.

Ai mori pjesë në një takim të kolegëve të BE-së të cilët po diskutonin edhe për anëtarësimin e Kroacisë në Schengen i cili aktualisht përfshin 22 nga 27 vendet anëtare të BE-së plus Zvicrën, Norvegjinë, Lihtenshtajnin dhe Islandën.

Kroacia besohet se ka më shumë mundësi për t’u pranuar.

Komisioni Evropian u ka bërë thirrje vendeve të bllokut evropian që të mundësojnë hyrjen e këtyre shteteve në zonën e lëvizjes së lirë.

Kancelari austriak Karl Nehammer tha më herët se qeveria e tij është e gatshme të pranojë Kroacinë, mirëpo është kundër pranimit të Rumanisë dhe Bullgarisë për shkak të shqetësimeve për migrimin.

Parlamenti holandez ka miratuar një rezolutë në muajin tetor, duke thënë se nevojitet analizë më e thelluar për funksionimin e rendit dhe ligjit, por edhe nivelin e luftimit të korrupsionit në Bullgari dhe Rumani.

Përpjekjet e Bullgarisë dhe Rumanisë për të hyrë në Schengen  janë bllokuar prej më shumë se një dekadë, kur Komisioni vlerësoi se këto dy vende janë të gatshme për anëtarësim.

Vendet anëtare duhet të miratojnë në mënyrë unanime pranimin e një shteti të ri.

Zona Schengen - me 26 vende anëtare - nënkupton pezullim të kontrolleve kufitare mes vendeve anëtare dhe u mundëson qytetarëve të udhëtojnë, punojnë dhe jetojnë në një shtet tjetër anëtar, pa pasur nevojë për viza apo leje tjera shtesë.

Bullgaria, Rumania, Kroacia, Irlanda dhe Qiproja, janë vendet e vetme të BE-së që nuk janë pjesë e zonës Schengen.

Në anën tjetër, Islanda, Norvegjia, Zvicra dhe Lihtenshtajni, nuk janë vende të BE-së, por janë anëtare të zonës Schengen.