Mbështetje për gratë e dhunuara nga World Vision
Eljona Elmazi, Drejtore Ekzekutive në "World Vision Albania" në një intervistë në emisionin “Jeto me Orën” në RTV Ora foli rreth organizatës që ajo drejton si dhe fokusin që kanë në mirëqenien e fëmijëve dhe gruas.
Elmazi thotë se kanë zhvilluar një studim në zonat ku ato operojnë dhe kanë arritur në përfundimin se “Mirëqenia e fëmijës krijohet nëse ka mirëqenie familja ku rritet fëmija dhe më gjerë. Por nëna është thënë dhe nga studimet se është shumë e rëndësishme.”
Eljona Elmazi: Ne jemi një organizatë që punon prej 23 vjetësh në Shqipëri. Kemi prekur jetën e qindra mijëra fëmijëve. Fokusi ynë është fëmija. Mirëqenia e fëmijës krijohet nëse ka mirëqenie familja ku rritet fëmija dhe më gjerë. Por nëna është thënë dhe nga studimet se është shumë e rëndësishme në mirëqenien e fëmijës. Në 2021 në zonat ku ne punojmë pyetëm 464 gra dhe 464 fëmijë të këtyre nënave dhe iu bëmë pyetje që lidhen për mirëqenien e tyre.
Sipas saj kur flasim për mirëqenien e gruas kemi të bëjmë me shumë aspekte.
Eljona Elmazi: Kur flasim për mirëqenien e gruas kemi të bëjmë me vetëbesimin, mirëqenien emocionale, normat që perceptojmë. Kemi dhe aspektin relacional, marrëdhëniet që krijojmë me gjithçka rreth nesh. Konfirmuam se nëse nëna kishte mirëqenie dhe fëmija po njësoj. Nëse marrim aspektin relacional vetëm 1 për qind e tyre ndiheshin të fuqizuara.
Mbështetja për gratë e dhunuara nuk ka munguar nga kjo shoqatë dhe në kuadër të kësaj do të organizojnë dhe një mbrëmje me të ftuar të ndryshëm ku fokusi do të jetë jo vetëm tek ndihma financiare e grave por dhe te krijimi i ndjeshmërisë.
Eljona Elmazi: Mbrëmja e bamirësisë bëhet me 14 dhjetor. Ka të ftuar të fushave të ndryshëm. Çështja nuk është të bëjmë thjesht bamirësi por të krijojmë dhe ndjeshmëri. Ngritja e fondeve është e rëndësishme se përmes fondeve mund të ndërtojmë programe.
