Scholz thirrje Putin: Tërhiq trupat nga Ukraina, kërko zgjidhje diplomatike

Gjermania bëri përpjekje për të ulur tonet ushtarake mes Rusisë dhe Ukrainës. Kancelari gjerman Olaf Scholc telefonoi presidentin Putin, të cilit i kërkoi të ndalojë sulmet ndaj infrastrukturës civile, Kremlini i justifikoi sulmet ajrore me shpërthimin e urës së Krimesë.

Kancelari gjerman Olaf Scholz të premten i bëri presion presidentit rus Vlarimir Putin të kërkojë një zgjidhje diplomatike për t’i dhënë fund luftës së tij në Ukrainë, përfshirë tërheqjen e trupave ruse.

Sipas Berlinit zyrtar, gjatë telefonatës njëorëshe, Scholz dënoi në veçanti sulmet ajrore të Rusisë kundër infrastrukturës civile në Ukrainë dhe theksoi vendosmërinë për të mbështetur Ukrainën në sigurimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse kundër sulmit rus.

Kremlini njoftoi se presidenti rus i bëri thirrje palës gjermane që të rishqyrtojë qasjen e saj për Ukrainën.

"Sulmet ajrore ruse janë një përgjigje e detyruar dhe e pashmangshme ndaj sulmeve provokuese të Kievit kundër infrastrukturës civile ruse përfshirë urën e Krimesë dhe objektet energjetike," thuhet ne deklarate.

Liderët gjithashtu diskutuan çështjen globale të sigurisë ushqimore, e cila është nën presion për shkak të luftës. 

Sipas zëdhënësit të Scholz, ata u dakorduan që të mbajnë kontaktet.

Scholz dhe Putzin kanë qenë në kontakt telefonik të rregullt gjatë luftës.

Telefonata e kaluar ndërmjet tyre u zhvillua në shtator dhe zgjati 90 minuta me Scholzin që gjithashtu i kërkoi Putin të shkojë drejt zgjidhjes diplomatike sa më shumë të jetë e mundur, bazuar në armëpushim.