Protestat japin efektin, tërhiqet Kina. Nis heqja e kufizimeve për COVID

Pas disa ditësh protesta shteti komunist i Kinës duket se është dorëzuar para protestuesve paqësorë të cilët kërkonin liri. Disa qytete kineze kanë nisur të heqin kufizimet anti-covid të cilat ishin tepër të ashpra e të pajustifikuara. 

Disa qytete kineze kanë nisur të heqin kufizimet kundër koronavirusit pas protestave kombëtare disaditore në të cilat është bërë thirrje për liri.

Protestat që nisën fundjavën e kaluar nuk ishin parë prej dekadash.

Pas trazirave në rrugë, një numër qytetesh kanë nisur të heqin disa masa, përfshirë testimet ditore.

Në disa qytete janë bërë paralajmërime për hapje të restoranteve dhe qendrave tregtare.

Megjithatë autoritetet nuk i kanë ndalur përpjekjet për të shtypur protestat, përmes rritjes së prezencës policore nëpër rrugë, si dhe formave tjera të vëzhgimit.

Kina ka regjistruar disa vdekje në mungesë trajtimi, për shkak të kufizimeve për koronavirus.

Ndër rastet e fundit është edhe ajo e vdekjes së një foshnjeje katërmuajshe, e cila është bllokuar në karantinë me babanë.

Kina mbetet ekonomia e vetme e madhe në botë që zbaton të ashtuquajturën politikën e zero të rasteve me Covid-19.