Turqia kërkon “mirëkuptim” nga SHBA për një operacion të mundshëm në Siri

Ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar i kërkoi sot SHBA-së të tregojnë mirëkuptim për një operacion të ri të mundshëm ushtarak turk në Siri, pasi Uashingtoni shprehu "kundërshtimin e tij të fortë" ndaj një hapi të tillë.

Turqia ka kërcënuar me një pushtim të ri në veri të Sirisë për muaj të tërë dhe ka rritur përgatitjet muajin e kaluar pas një sulmi vdekjeprurës me bombë në Stamboll, për të cilin fajësohen militantët kurdë.

“SHBA-ja na ka kërkuar të rivlerësojmë. Ne i përcollëm ndjeshmëritë dhe mendimet tona dhe i kërkuam që të mbajnë premtimet e tyre. Ne theksuam se ata duhet të na kuptojnë”, u tha Akar gazetarëve.

Ankaraja u kërkoi gjithashtu vendeve aleate me një prani ushtarake në Siri që të mos lejojnë milicitë lokale të përdorin flamujt dhe uniformat e tyre, shtoi ministri turk i mbrojtjes.

"Ne u kujtojmë atyre se ata duhet të mbajnë larg terroristët dhe përfundimisht të ndërpresin lidhjet e tyre me organizatat terroriste," tha ai.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha dje se i kishte shprehur homologut të tij turk "kundërshtimin e fortë" ndaj një operacioni të ri tokësor turk në shkallë të gjerë në Siri, duke shprehur shqetësimin për përshkallëzimin e fundit të dhunës në rajonin kufitar, sipas një deklarate nga Pentagoni.