Të paktën tre të vrarë dhe 11 të plagosur nga të shtënat në dy shkolla në Brazil

Të paktën tre persona u vranë dhe 11 të tjerë u plagosën në Brazil të premten kur dy burra sulmuan me armë dy shkolla në shtetin juglindor të Espirito Santo, thanë autoritetet.

"Bandidët" hynë në një shkollë në Aracruz dhe njëri prej tyre qëlloi disa mësues që ishin mbledhur, duke vrarë dy gra dhe duke plagosur nëntë të tjera, tha kryetari i bashkisë, Luis Carlos Coutinho, për radion CBN.

Më pas me automjetet e tyre kanë shkuar në një shkollë tjetër, ku një adoleshente ka mbetur e vrarë nga plumbat, ndërsa dy persona kanë mbetur të plagosur.

Të shtënat në shkolla janë relativisht të rralla në Brazil, pavarësisht niveleve të larta të krimit me armë në vendin e Amerikës së Jugut.

Të shtënat më vdekjeprurëse në shkollë në Brazil lanë të vdekur 12 fëmijë në vitin 2011, kur një burrë hapi zjarr në ish-shkollën e tij fillore në periferi të Rio de Zhaneiros, Realengo.

Zëvendëspresidenti i zgjedhur i Brazilit, Geraldo Alckmin, tha se ishte i tmerruar nga të shtënat e fundit.

“I dërgoj solidaritetin tim komuniteteve të shkollave, familjeve dhe miqve të viktimave”, shkroi ai në Twitter, duke bërë thirrje për një “hetim dhe parandalim të shpejtë për të ndaluar tragjeditë si kjo të mos ndodhin përsëri”.

Alckmin do të marrë detyrën më 1 janar së bashku me presidentin e zgjedhur Luiz Inacio Lula da Silva, i cili bëri fushatë kundër kufizimeve dramatike të presidentit të ekstremit të djathtë Jair Bolsonaro për ligjet për kontrollin e armëve.