"Dhëmbë për dhëmbë me Rusinë", NATO: Do ta mbështesim Ukrainën sa të jetë e nevojshme
Ukraina gjendet nën raketime të vazhdueshme të infrastrukturës së saj energjetike nga Rusia. Kreu i NATO-s u zotua se NATO do ta ndihmonte Kievin me armë, por edhe karburant e gjeneratorë ndërsa qytetet ukrainase gjenden në errësirë.
NATO do të ndihmojë Ukrainën sa të jetë e nevojshme, ndërsa Kievi po përballet me sulmin rus prej 9 muajsh.
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut të Veriut, Jens Stoltenberg tha të premten se NATO do ta ndihmojë ushtrinë e Kievit që të konvertohet në standardet e Kievit.
"NATO-ja do të vazhdojë të qëndrojë pranë Ukrainës për aq kohë sa të ketë nevojë. Ne nuk do të tërhiqemi. Ne do t’i ndihmojmë Ukrainës të kalojë nga pajisjet e kohës Sovjetike në standardet moderne të NATO-s. Aleatët janë duke dërguar në mënyrë të paprecedentë mbështetje ushtarake dhe unë pres që Aleanca të rrisë edhe mbështetjen jo-vdekjeprurëse," tha ai.
Ish-kryeministri i Norvegjisë i bëri këto komente përpara se të mbahet takimi i ministrave të Punëve të Jashtme të 30 shteteve në Bukuresht të Rumanisë në 28 dhe 29 nëntor.
Takimi mbahet fiks 15 vite pasi NATO u premtoi Gjeorgjisë dhe Ukrainës se një ditë do të bëhen anëtare të organizatës, premtim i cili zemëroi Moskën.
Zoti Stoltenberg tha se aleanca shumëkombëshe e sigurisë e ka ndihmuar Ukrainën me karburant, gjeneratorë, furnizime mjekësore, pajisje për dimër dhe pajisje për bllokimin e dronëve, ndërsa qytetet ukrainase gjenden nën sulmet ruse të cila synojnë infrastrukturën energjetike.
