Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez u zgjodh presidenti i ri i Internacionales Socialiste

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez u zgjodh sot president i Internacionales Socialiste, gjatë ditës së parë të konferencës së organizatës ndërkombëtare në të cilën marrin pjesë 132 parti socialiste dhe socialdemokrate nga e gjithë bota.

Konferenca po mbahet në Madrid dhe do të përfundojë të dielën.

Kandidatura e Sanchez nuk u hodh në votim pasi ai ishte i vetmi kandidat për të pasuar ish-kryeministrin grek George Papandreu, i cili kishte qenë president i Internacionales Socialiste që nga viti 2005.

Papandreu u propozoi delegatëve që ta shpallnin kryeministrin spanjoll president “duke bërtitur” dhe ata u ngritën në këmbë dhe e duartrokitën. Sanchez u përgjigj duke vendosur dorën në gjoks në shenjë falënderimi.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez u zgjodh presidenti i ri i Internacionales

Në fjalën e hapjes së konferencës, pak para zgjedhjes së tij, 50-vjeçari Sanchez shpjegoi se ka një synim specifik për IS-në: Ta kthejë atë "në një platformë të rëndësishme ideologjike të lëvizjes progresive ndërkombëtare".

Duke nënvizuar se dëshiron të nderojë "trashëgiminë që na frymëzon të gjithëve", kryeministri spanjoll shtoi se dëshiron "të japë më të mirën".

Duke iu drejtuar grave që marrin pjesë në konferencë, ai premtoi të "luftojë për barazi", një qëllim që ai e konsideron një prioritet të politikës së tij të brendshme që kur u bë kryeministër i Spanjës në 2018.

Sanchez ka qenë kreu i Partisë Socialiste të Punëtorëve të Spanjës (PSOE) që nga viti 2014.

Njoftimi se ai do të kandidojë për presidencën e IS-së u interpretua në Spanjë, veçanërisht nga mediat, si një shenjë se ai synon ta përdorë këtë organizatë ndërkombëtare si trampolinë për një karrierë të ardhshme ndërkombëtare nëse, siç parashikojnë sondazhet, partia e tij humb në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Këto zgjedhje duhet të mbahen deri në fund të vitit 2023.

Internacionalja Socialiste përfshin shumicën e partive dhe lëvizjeve socialiste, punëtore dhe socialdemokrate në botë.