Kërkoi pavlefshmërinë e mijëra votave, Gjykata rrëzon Bolsonaron
Gjykata e Lartë e Brazilit ka rrëzuar kërkesën e presidentit Bolsonaro i cili pretendoi për parregullsi zgjedhore. Përveçse e refuzoi kërkesën, gjykata vendosi edhe një gjobë të majme ndaj Partisë të kreut të shtetit, ndërsa protestat pro-Bolsonaros vijojnë në mbarë vendin.
Gjykata e Lartë e Brazilit ka rrëzuar pretendimet e presidentit në detyrë Jair Bolsonaro, pasi ky i fundit kërkoi pavlefshmërinë e rreth 300 mijë votave, për shkak të gabimeve kompjuterike.
Gjykata rrëzoi kërkesën e kreut të shtetit i cili tentoi të sfidojë rezultatin e zgjedhjeve pasi deklaroi se makineritë e votimit kishin shfaqur probleme në lidhje me identifikimin e votuesve.
Organi i lartë i drejtësisë po ashtu vendosi një gjobë prej 4,2 milionë dollarësh ndaj Partisë Liberale të presidentit Bolsonaro pasi avokatët e tij paraqitën një peticion me 33 faqe ku thoshin se shumica e makinerive të votimit ishin subjekt i mosfunksionimit të procesit.
Sipas tyre makineritë e votimit u mungonin numrat e identifikimit në regjistrat e tyre të brendshme.
Bolsonaro humbi ngushtë garën e balotazhit të 30 tetorit ndaj ish-presidentit Luiz Inacio Lula da Silva një politikan i majtë i dënuar për korrupsion.
Bolsonaro mori 49,1% të votave kundër 50,9% që mori Lula.
Gara shkaktoi ditë protestash kaotike në të gjithë Brazilin, me demonstruesit që ngritën postblloqe në disa autostrada kryesore dhe madje kërkonin marrjen e qeverisë nga ushtria në një moment.
Bolsonaro më vonë u kërkoi mbështetësve të tij që të ndërpresin veprime të tilla, megjithëse protestat e mëdha kanë vazhduar në disa qytete.