Rusia fut në "listën e zezë" Irlandën, kryeministri mes 52 politikanëve të shpallur non grata

Rusia tha të mërkurën se u ka ndaluar hyrjen 52 politikanëve irlandezë, përfshirë kryeministrin Micheal Martin, duke akuzuar Dublinin se po zhvillon "një fushatë agresive propagandistike anti-ruse".

Ndalimi, duke përfshirë gjithashtu zëvendëskryeministrin Leo Varadkar, ministrat e jashtëm, të drejtësisë dhe financave dhe një numër parlamentarësh, ishte i fundit në një breshëri lëvizjesh kryesisht simbolike nga Rusia kundër figurave të shquara nga vendet perëndimore që kanë dënuar luftën e saj në Ukrainë.

Kryeministri Martin, të cilit ju komunikuan sanksionet ndërsa fliste në parlament, tha se ishte një zhvillim i ri dhe se nuk ishte sanksionuar ndonjëherë më parë.

Ai tha se sanksionet "ishin pjesë e një lufte më të gjerë propagandistike që po zhvillohej nga Rusia" dhe tha se "kërkohen gjithmonë mendje të ftohtë në situata si kjo".

Si një anëtare e Bashkimit Evropian, Irlanda i është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë për pushtimin e saj më 24 shkurt dhe të dy vendet kanë dëbuar disa nga diplomatët e njëri-tjetrit.

Moska gjithashtu kërkoi falje në mars pasi një burrë kaloi një kamion nëpër portat e ambasadës së saj në Dublin për të protestuar kundër luftës.