Rusia sulmon qytetin e Zaporizhzhias me 10 raketa

10 raketa ruse kanë goditur mëngjesin e sotëm qytetin e Zaporizhzhias për të disatën herë brenda këtij muaji.

Guvernatori i rajonit të Zaporizhzhia, Oleksandr Starukh, raportoi herët më 15 tetor se forcat ruse kishin përdorur sistemet raketore S-300 për të sulmuar qytetin ukrainas të Zaporizhzhias, duke dëmtuar "një numër objektesh energjetike dhe industriale".

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Zaporizhzhia, Anatoly Kurtev më vonë sqaroi se sulmi gjatë natës kishte dëmtuar 21 ndërtesa banimi, 15 ndërtesa private, një objekt arsimor dhe një parking.

Nuk raportohet për të plagosur apo viktima.

Starukh tha më herët se më shumë se 70 njerëz janë vrarë në Zaporizhzhia gjatë sulmeve të përgjithshme ruse në tetor dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur.

Zaporizhzhia ka qenë vazhdimisht objektiv i sulmeve ruse gjatë javëve të fundit, duke shkaktuar dëme kritike në infrastrukturë dhe duke rezultuar në shumë viktima.