SHBA 'blindon' Ukrainën, jep 725 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Kievin
Shtetet e Bashkuara kanë hapur sërish thesin për Kievin, në kuadër të zotimit të tyre për të ndihmuar Ukrainën deri sa të nevojitet. Këtë herë SHBA, ka dhuruar edhe 725 milionë dollarë ndihmë ushtarake.
Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar një ndihmë të re ushtarake prej 725 milionë dollarësh, e cila pritet të përfshijë municione dhe automjete ushtarake.
Megjithatë, mediet amerikane kanë raportuar se paketa e re e ndihmës, nuk përfshin aftësi të reja të konsiderueshme ose mbrojtje kundërajrore.
Kjo ndihmë është e para që nga breshëria e sulmeve me raketa, që Rusia lëshoi ndaj qyteteve ukrainase këtë javë.
Me paketën e fundit, ndihma e çon në më shumë se 17,5 miliardë dollarë suportin total ushtarak që SHBA-të i kanë dërguar Ukrainës, që kur filloi sulmi në 24 shkurt.
Presidenti Biden, i kërkoi sekretarit Blinken të udhëzonte tërheqjen deri në 725 milionë dollarë për shërbime ushtarake të Departamentit të Mbrojtjes, si dhe trajnues ushtarakë për të ndihmuar Ukrainën.
Më konkretisht, paketa e ndihmës nuk pritet të përfshijë materiale për të zmbrapsur sulmet me raketa, ajo synon forcimin e aftësive të Ukrainës për të mposhtur Rusinë në kundërofensivën që ka rezultuar efektive në javët e fundit.
Kievi tha të premten se vendi i tij kërkon nga Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania këtë muaj sisteme të sofistikuara kundërajrore, për ta ndihmuar atë t’u bëjë ballë sulmeve nga raketat ruse dhe dronët kamikazë.
Paketa e fundit është e dyta që qeveria Amerikane ka dhënë për Ukrainën, e cila nuk ka nevojë për miratim nga Kongresi, por ajo dërgohet me shpejtësi.
Fondi është pjesë e totalit prej 3,7 miliardë dollarë armë që presidenti Biden ka në disponim për transferim në Ukrainë deri në mes të dhjetorit.
