Çmimi Nobel në Kimi shkon për "kiminë e klikimeve"

Dy shkencëtarë amerikanë, Carolyn Bertozzi dhe Barry Sharpless, si dhe danezi, Morten Meldal, janë vlerësuar me çmimin Nobel në Kimi, për krijimin e një forme më funksionale të kimisë, e cila mund të përdoret në të ardhmen në trajtimin dhe diagnostikimin e sëmundjeve të ndryshme.
Fituesit do të ndajnë çmimin prej 10 milionë koronash suedeze (800,000 £).
Dr. Bertozzi është gruaja e tetë që i është dhënë çmimi dhe Dr. Sharpless është shkencëtari i pestë që nderohet me dy çmime Nobel, vuri në dukje Komiteti i Kimisë.
"Kimia e klikimeve është pothuajse ashtu siç tingëllon, emrin e së cilës Dr. Sharpless e shpiku në vitin 2000. Ka të bëjë me bashkimin e molekulave së bashku. Imagjinoni që mund të lidhni kopsa të vogla kimike në lloje të ndryshme blloqesh ndërtimi. Atëherë ju mund t'i lidhni këto kopsa së bashku dhe të prodhoni molekula me kompleksitet dhe variacion më të madh", tha Johan Aqvist, kryetar i Komitetit të Kimisë.
Puna e Sharpless "e revolucionarizoi mënyrën se si ne mund të analizojmë ose shohim molekulat në trupin e gjallë," sipas jurisë vlerësuese. Ky është çmimi i dytë Nobel për 81-vjeçarin, i cili është nderuar edhe në vitin 2001.
Dr. Bertozzi më vonë shpiku një mënyrë për të ndërtuar reaksione të klikimit, ose molekula komplekse, brenda organizmave të gjallë. Këto, të ashtuquajtura reaksione bio-ortogonale, që atëherë janë aplikuar gjerësisht në zhvillimet farmaceutike kundër kancerit.
Java e ndarjes së Çmimeve Nobel ka nisur më 3 tetor me çmimin për mjekësi. Në ditët në vazhdim do të jepen çmimet Nobel për Paqe, Letërsi dhe Ekonomi.
