Italia rinis furnizimi me gazin rus, Gazprom informon zhbllokimin

Kompania e madhe ruse e energjisë Gazprom që kontrollohet nga qeveria e Federatës Ruse me aktivitet në sektorin e energjisë e burimeve minerale, me një notë zyrtare ka informuar sot se ka rinisur furnizimin me gaz për Italinë.

Pak ditë më parë Enti Kombëtar i Energjisë në Itali kishte deklaruar se Rusia kishte ndërprerë furnizimin me gaz për shkak të pamundëshmërisë së kalimit të tij përmes Austrisë.

Në informacionin zyrtar shpërndarë pak orë më parë, Gazprom komunikon se janë gjetur zgjidhjet me palët si me Entin Kombëtar të Energjisë e me autoritetet austriake për zhbllokimin e normativave rregulluese të Austrisë që ndalonin kalimin e gazit rus përmes këtij vendi.

Ky është një lajm i mirë kur mungesa e gazit rus ka vënë në vështirësi Italinë duke çuar në rritjen e çmimit të energjisë me rëndesën ekonomike ndaj familjeve e sipërmarrjeve italiane.

Giorgia Meloni, lider i Partisë Fratelli d'Italia dhe përfaqësues e qendrës së djathtë italiane, në pritje për të marrë detyrën e Kryeministres, pak orë para marrjes së këtij vendimi ka deklaruar se "kriza energjitike është një çështje evropiane e si e tillë duhet të përballohet”.

“Detyra kryesore e Bashkimit Evropian është të menaxhoj sa më mirë krizën kontinentale që vështirë se do të mund të përballohen vetëm nga vendet anëtare. Aksionet e vendeve të veçanta që shfrytëzojnë pikat e forta të tyre rrezikojnë të ndërhyjnë në konkurrencën e kompanive e ndrydhje të tregut unik evropian. Do të mbështesim në Evropë çdo aksion kundër fenomeneve spekulative e të pajustifikueshme si dhe kundër çmimeve të pajustifikueshme të kostos së energjisë, dhe do të mbështesim çdo iniciativë të përbashkët e konkrete për të ndihmuar familjet e sipërmarrjet" – shtoi ajo.

Nga 1 tetori Italia ka rritur me 59% koston e energjisë për konsumatorët e më një rëndesë mbi 1300 euro në vit për familjet.