Ukraina rimerr fshatrat e aneksuara
Forcat ukrainase kanë çliruar një fshat kyç në rajonin jugor të Kersonit, duke detyruar forcat ruse të tërhiqen.
Forcat ruse tashmë janë detyruar të tërhiqen në verilindje të Ukrainës dhe janë duke u zhvendosur edhe në jug.
Lëvizjet e fundit erdhën pasi presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një dekret për aneksimin e katër rajoneve ukrainase, ndërsa kundërofensiva ukrainase kishte nisur.
Rusia ende kontrollon qytetin Kerson, kryeqytetin rajonal, në jug. Por kontrolli i tij po duket gjithnjë e më i lëkundur në të gjithë zonën në veri të lumit Dnieper.
Në 48 orët e fundit, forcat ukrainase thonë se janë shtyrë në jug përgjatë bregut perëndimor të lumit dhe njësitë ruse tani janë detyruar të tërhiqen edhe nga disa vendbanime në veri të rajonit Kherson.
"Ushtria ukrainase po përparon mjaft shpejt dhe fuqishëm në jug të vendit tonë, si pjesë e operacionit aktual të mbrojtjes" thotë presidenti Zelenski.
Ministria Ukrainase e Mbrojtjes tha më vonë se forcat ruse në demoralizim e sipër po përpiqeshin të shkatërronin urat, për të ngadalësuar përparimin ukrainas.
Zyrtarët e instaluar nga Kremlini në Kerson u thanë banorëve se nuk kishte vend për panik duke mohuar rimarrjen e kontrollit të disa fshatrave nga ushtria ukrainase.
Megjithatë, në hartën e saj të pushtimit, Rusia kishte lënë jashtë disa fshatra për të cilat Kievi tha se i kishte rimarrë tashmë.
