“Nusja dhe shtetrrethimi”/ Bomba dhe këmbana dasmash në Ukrainë, çiftet nxitojnë drejt altarit
Edhe pse në mes të luftës, çiftet e reja në Ukrianë kanë zgjedhur të kurorëzojnë dashurinë e tyre në martesë. Në këtë periudhë rregullat për ceremoninë janë thjeshtuar, ndërsa vetë të sapomartuarit pranojnë se ndihen të lumtur edhe pse në kushte të vështira.
Bomba dhe këmbana dasmash në Ukrainë.
Mes luftës e cila vijon prej gati gjysmë viti në Ukrainë, çifte të reja edhe pse në kushte të vështira, kanë vendosur të kurorëzojnë dashurinë e tyre në martesë. Për ta ky është një moment i veçantë, por kur ndodh në kohë lufte bëhet një vendim edhe më i rëndësishëm.
"Dasma për një grua është diçka e veçantë, dhe gjatë luftës është një vendim shumë i rëndësishëm. Jam shumë e lumtur dhe e emocionuar që ndodhi", shprehet nusja e sapomartuar, Ganna.
Pesë çifte presin me padurim të martohen në Kiev, përpara njërës prej zyrave të regjistrimit të qytetit. Në Ukrainë, bashkëshortët e ardhshëm kanë përfituar nga një thjeshtësim në burokracinë rreth martesës që i lejon ata të martohen aty për aty shprehet Vitaliy Charnykh, drjetues i ceremonisë së dasmës.
"Ne mund t'i regjistrojmë njerëzit në të njëjtën ditë kur ata aplikojnë, nuk ka nevojë të presim një muaj, siç ka qenë para luftës. Martesa në një kohë kaq të vështirë është një motiv i madh për çiftet e reja, pasi ata nuk e dine çfarë do të ndodhë nesër. Çiftet e reja janë të gatshme të martohen”.
Në momente të tilla të vështira, është shumë më e lehtë për të sapomartuarit të pranojnë realitetin, ata ndihen më mire thotë Charnykh.
Në këtë periudhë lufte, interesi i çifteve të reja për tu martuar, sipas të dhënave nga Departamenti i Regjistrimit të Martesave ka qenë i lartë.