"Rusia humb gjysmën e ushtrisë në Ukrainë", SHBA pretendon se rreth 75 000 ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur
Një ligjvënëse amerikane pretendon se Inteligjenca amerikane ka arritur në përfundimin se ushtria ruse ka humbur rreth gjysmën e trupave në Ukrainë, çka do të ishte një lajm i mirë për Kievin ndërsa po përpiqet që të rimarrë territoret e pushtuara.
Inteligjenca amerikane ka konkluduar se rreth 75 mijë ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur në luftë në Ukrainë.
Informacionet nga mbledhja e inteligjencës së administratës Biden i ka bërë me dije ligjvënësja demokrate Elissa Slotkin.
Shifra përbën gati gjysmën e numrit të trupave që Moska ka dërguar në Ukrainë që prej nisjes së të ashtuquajturit operacion special.
Ligjvënësja pretendoi gjithashtu se rreth 80% e forcave ruse gjenden të bllokuara ose të lodhura.
Viktimat ushtarake konsiderohen sekrete shtetërore në Rusi - edhe në kohë të paqes prandaj Moska nuk i përditëson të dhënat e saj.
Sipas vlerësimeve të fundit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës CIA, rreth 15.000 ushtarë rusë janë vrarë në luftime.
Slotkin, e cila ka vizituar së fundi Ukrainën, ka thënë se periudha e ardhshme tri deri në gjashtë javë do të jetë shumë e rëndësishme për drejtimin që do të marrë lufta.
Nëse shifrat e humbjeve të Rusisë konfirmohen, ato do të përbënin një disfatë të madhe për Rusinë, ndërsa Ukraina çon përpara kundërsulmin me qëllim marrjen e territoreve të pushtuara në jug të Ukrainës, kryesisht të Kersonit.
Ky qytet, ka pasur një popullsi prej 290 mijë banorësh përpara luftës, është nën administrimin e Moskës.
Në Kerson ka nisur puna për rusizimin e ukrainasve përmes lëshimit të pasaportave ruse, transmetimit të kanaleve të Moskës, si edhe së shpejti edhe shkollat mund të nisin në rusisht duke zëvendësuar sistemin ukrainas.
