Erdogan dhe Putin në Iran/ Transporti i grurit ukrainas në Detin e Zi në fokus të bisedimeve

Lideri rus Vladimir Putin ka mbërritur në Iran këtë të martë ku do të ketë takime kokë më kokë me homologun iranian dhe atë turk. Palët do të diskutojnë për sigurinë rajonale por edhe për transportin e grurit ukrainas përmes detit të Zi.

Presidenti turk ka mbërritur mbrëmjen e së hënës në Teheran me një grup të madh zyrtarësh të lartë turq për të zhvilluar bisedime ekonomike dhe politike me iranianët.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Turqia dhe Irani kanë pasur bilanc të lartë tregëtar me njëri – tjetrin, por pandemia dhe sanksionet e forta amerikane kanë ndikuar që ky bilanc të jetë tepër i ulët.

Irani ka kohë që synon një marrëveshje bashkëpunimi afatgjatë me Turqinë fqinje. Dokumenti fillimisht ishte dashur të nënshkruhet gjatë një vizite të planifikuar të Erdoganit në Teheran në nëntor 2021, por nuk u realizua.

Ndërkohë, në Teheran, mesditën e së martës mbërriti edhe presidenti rus Vladimir Putin. Autoritetet ruse kanë njoftuar se shefi i Kremlinit do të ketë takime kokë më kokë me homologun iranian dhe atë turk.

Një nga temat e takimit trilateral është paqja në Siri, lufta në Ukrainë dhe siguria ushqimore. Ndërkohë, në rajon, Irani është afruar edhe më shumë kohët e fundit me Rusinë dhe Kinën. Sanksionet e forta amerikane kanë sjellë që Irani të vështrojë për aleatë të tjerë.  

Më herët në rajon ka qenë edhe presidenti amerikan Joe Biden. Vizita e tij bëri bashkë aleatët e amerikanëve në rajon. Zbritja në terren e Putinit tregon për një dinamikë të re në Lindjen e Mesme, ku rusët po kërkojnë aleatë të rinj.