Të shtëna në qendër të Parisit: Një i vdekur dhe 4 të plagosur, arrestohet një person

Një burrë u qëllua për vdekje në Paris në rrugën Popincourt, në lagjen e 11-të, ndërsa katër persona të tjerë mbetën të plagosur lehtë nga të shtënat.

Deri më tani motivi i të cilave nuk dihet, edhe pse mendohet se bëhet fjalë për një larje hesapesh. Njëri nga dy sulmuesit u arrestua, tjetri arriti ta humbiste gjurmët.

Sipas rikonstruksioneve të para, dy persona kanë zbritur nga një makinë dhe kanë hapur zjarr ndaj dy personave të ulur në një tavolinë kafeje.

I intervistuar nga shtypi francez, Antoine, menaxher i një restoranti aty pranë, tha se "pa një makinë duke mbërritur" dhe më pas përshkroi armën e përdorur, duke folur për një mitraloz ose një kallashnikov.

“Thjesht pata kohë t'i them personelit të hyjë brenda. Të gjithë kanë ikur”, shtoi menaxheri, sipas të cilit sulmi zgjati 20-30 sekonda.

Të shtënat shpërthyen jashtë një lokali shisha dhe ishin klientët e lokalit ata që bllokuan një nga dy sulmuesit.