BE: Abazoviç po luan me zjarrin, ambasadorët e vendeve të unionit kundër Marrëveshjes me Kishën Serbe
Kryeministri i prezantuar si pro evropian i Malit të Zi është kritikuar nga vendet anëtare të BE-së për një marrëveshje që Dritan Abazoviç do të nënshkruajë me Kishën Serbe. Ambasadorët e BE-së në Podgoricë thonë se kompromisi mund të çojë në rrëzimin e qeverisë.
Kriza politike në Mal të Zi është duke plasur, pak muaj pasi situata mori zgjidhje përmes një kompromisi të koalicionit të pakicave, si rezultat i të cilës u zgjodh kryeministri Dritan Abazoviç.
Shqiptaro-malazezi ka ndezur një klimë jo-miqësore mes popullit për shkak të një marrëveshjeje që qeveria e tij kërkon të nënshkruajë me Kishën Ortodokse Serbe.
Së fundmi, ambasadorët e vendeve evropiane në Podgoricë mësohet t’i kenë kërkuar qeverisë së Abazoviç të mos nënshkruajë marrëveshjen me Kishën Serbe, por të fokusohet te integrimi i vendit në Bashkimin Evropian.
Sipas medieve vendase takimi mes Abazoviç dhe diplomatëve evropianë është zhvilluar të hënën.
Vendet e unionit shprehin shqetësim se përmes nënshkrimit të marrëveshjes mes qeverisë malazez dhe Kishës Ortodokse Serbe, qeveria e Abazoviç do të rrëzohej pas mocionit të mosbesimit nga partitë në koalicionin qeverisës, të cilët janë kundër kësaj marrëveshjeje.
Javën e kaluar, Partia Socialdemokrate e quajti marrëveshjen si një tradhti ndaj Malit të Zi dhe dha indikacione se nëse akti do të kryhej, Abazoviç do të përballej me votëbesim.
I fundit në radhë ka qenë presidenti malazez Millo Gjukanoviç që i ka bërë thirrje Abazoviç të mos nxitohej dhe të punonte për interesat e vendit.
"Ky publicitet tregon inferioritet në raport me palën tjetër. Shteti është partneri i lartë në marrëdhëniet me çdo komunitet fetar, ne jemi ata që i përcaktojmë rregullat. Ajo që është një vijë e kuqe për ne është se çdo qeveri duhet të ndjekë interesat shtetërore të Malit të Zi. Nëse dikush i braktis ato, atëherë nuk është ajo agjenda. Shpresoj që të mos arrihet deri këtu," deklaroi ai.
Partia e kreut të shtetit të cilin ai edhe e udhëheq, Partia Demokratike e Socialistëve mund të votojë kundër Abazoviç nëse 36-vjeçari përballet me votëbesim.
Abazoviç dhe kryepeshkopi i i Beogradit dhe gjithë Serbisë, Porfirije pritet që të nënshkruajnë atë që quhet Marrëveshja Themelore.
Sipas marrëveshjes, Podgorica do të duhet ta njohë Kishën Ortodokse Serbe në Mal të Zi si gjashtë shekuj më të hershme se sa ajo serbe, çka malazezët e kanë quajtur si humbje e identitetit të kishës vendase, në një kohë kur ortodoksët në këtë shtet kërkojnë të pavarësohen nga Selia e Beogradit.
Në lidhje me këtë Abazoviç shprehet se Marrëveshja Themelore do të jetë në agjendën e qeverisë të premten dhe se çështja nuk mund të shtyhet pafundësisht.
Kujtojmë që Kisha Ortodokse Malazeze nuk është Autoqefale dhe se ortodoksët në Mal të Zi varen nga Kisha Serbe.
Kisha Malazeze njihet në vend vetëm si organizatë fetare për shkak se nuk është e njohur nga Patriarkana Ekumenike e Kostandinopojës.