Viktimizim dhe paranoja nga Beogradi, ministri i Jashtëm si Vuçiç: Kurti do konfiskojë pronën e serbëve

Ndërsa nuk ngurron të akuzojë perëndimin për njëanshmëri në favor të Kosovës, Beogradi po kultivon planet e pushtimit të serbëve të veriut të Kosovës nga vetë kryeministri Kurti. Pretendimin e bëri vetë kreu i shtetit Aleksandër Vuçiç.

Vendimi për heqjen e targave të makinave që lëshoheshin në Serbi dhe riregjistrimi i tyre në Kosovë për serbët e veriut ka futur në panik Beogradin, duke pretenduar madje edhe për spastrim etnik nga qeveria në Prishtinë.

Paranojat e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç se Albin Kurti do urdhërojë pushtimin e veriut të shtetit të tij në 1 tetor kanë filluar të besohen nga kabinet i qeverisë në Beograd.

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikolla Sellakoviç thotë se vendi i tij nuk kërkon probleme në veri të Kosovës, por megjithatë ka besim se serbët atje kanë një skenar të dhunshëm për t’iu përgjigjur autoriteteve kosovare.

Selakoviç: Serbia nuk është ajo që do të shkaktojë probleme në Kosovë, por nuk do të rrijë duarkryq ndërkohë që dikush e qëllon me shqelma e shuplaka. Serbët po kërcënohen me konfiskim të pronës private pas njoftimit të Prishtinës se nga 1 tetori do të konfiskojë automjetet me targa serbe. Duke e njohur popullin tonë atje, ata sigurisht nuk do të pranojnë që t'u merret diçka, qoftë edhe me dhunë.

Kryediplomati akuzon Bashkimin Evropian për njëanshmëri ndaj Kosovës sa i përket dialogut dhe zhvillimit të fundit të targave.

Selakoviç: Presidenti Vuçiç u zotua personalisht për përkushtim serioz në dialog dhe konstruktivitetin në të edhe pse u përballëm me ndryshimin e intensitetit destruktiv të dialogut nga ana e Prishtinës, i cili u shkaktuar drejtpërdrejt nga favorizimi i një grupi vendesh perëndimore.

Të premten Bashkimi Evropian e vlerësoi si të drejtë vendimin e Qeverisë së Kosovës për të ndaluar targimin e automjeteve të serbëve të veriut në Serbi.