Italia në alarm, lumenjtë po thahen
Prej kohësh në Itali po diskutohet çështja e temperaturave të larta dhe thatësirës që po ndikon mjaft në nivelin dhe prurjet e lumenjve.
Pikërisht këtë javë qeveria do të organizojë një mbledhje për të analizuar dhe vlerësuar masat e mundshme emergjente që duhet të merren.
Situata është kritike shprehen mediat italiane, pasi lumenjtë janë në një nivel shumë të ulët, sidomos lumi Po që s'ka qenë kurrë ndonjëherë në këto nivele.
Qarqet u kanë kërkuar ndihmë qeverive. Guvernatorët e veriut të Italisë ishin të parët që dhanë alarmin duke kërkuar vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Emergjenca e Po-se është vërtet një problem serioz, duke qenë se e gjithë baza e trashëgimisë bujqësore dhe agroushqimore italiane qëndron mbi ujërat e saj.
Autoritetet kanë kërkuar vendosjen e alarmit të kuq për të.
Në emergjencë janë gjithashtu dhe lumenjtë Arno, Tiber dhe Aniene.
Sekretari i Autoritetit të Basenit të Tiberit, Erasmo de Angelis tha se ai e kishte ngritur alarmin disa muaj më parë.

“Alarmin e thatësirës e kemi nisur tre, katër muaj më parë”, tha ai, duke nënvizuar se është raportuar edhe “ardhja e valëve të të nxehtit që nuk i kemi parë prej shumë kohësh”.
“Nuk mund të ndjekim më emergjencat. Uji duhet të jetë në qendër të vëmendjes dhe investimeve publike, duhet të jetë pjesë e buxheteve të shtetit: çështja është pra parandalimi në kohë paqeje,” tha ai.
