Gazetari rus shet Nobelin e tij për 103.5 milion dollarë, paratë shkojnë për refugjatët ukrainas

Kryeredaktori rus i gazetës së pavarur Novaya ka nxjerrë në ankand medaljen e tij të Çmimit Nobel për Paqe për 103.5 milionë dollarë.

Dmitry Muratov tha se të gjitha paratë nga shitja do të shkojnë për të ndihmuar refugjatët nga lufta në Ukrainë.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Muratov u shpërblye me çmimin e paqes në vitin 2021 për mbrojtjen e lirisë së shprehjes në Rusi.

Novaya Gazeta pezulloi operacionet e saj në mars, menjëherë pas pushtimit rus të Ukrainës.

Kjo erdhi pasi Moska tha se kushdo që i përshkruan veprimet e Rusisë në Ukrainë si një "luftë" do të përballet me gjoba të rënda ose mbyllje. Kremlini e quan konfliktin një "operacion special ushtarak".

Heritage Auctions, që ka kryer shitjen, nuk ka zbuluar se kush ishte ofertuesi fitues.

"Mesazhi më i rëndësishëm sot është që njerëzit të kuptojnë se po ndodh një luftë dhe ne duhet të ndihmojmë njerëzit që po vuajnë më shumë," tha Muratov.

Ai fitoi Çmimin Nobel për Paqen vitin e kaluar së bashku me gazetaren Maria Ressa, e cila bashkëthemeloi faqen e lajmeve në internet Rappler në Filipine.

Ressa dhe Muratov janë të dy të njohur për publikimin e hetimeve që kanë zemëruar liderët e vendeve të tyre dhe janë bërë simbole të luftës për lirinë e shtypit.

Në prill, Muratov u sulmua me bojë të kuqe të përzier me aceton tretës në një tren në Rusi.

Gazetari rus shet Nobelin e tij për 103.5 milion dollarë, paratë