Kupa “takon” tifozët në Sheshin "Skënderbej"
Kupa e parë e Ligës së Konferencës është zbuluar në Sheshin Skënderbej. Qindra tifozë por edhe banorë të Tiranës ishin të pranishëm në ceremoninë e prezantimit të trofeut të parë në edicionin e parë te këtij evenimenti që do të kulmojë me finalen e orës 21.00 të mërkurën në "Arenën Kombëtare".
Atmosfera ka nisur të ndihet në rrugët e kryeqytetit ndërsa në fjalën e tij, presidenti i FSHF Armand Duka vuri theksin në rëndësinë sportive, ndoshta më i madhi i organizuar ndonjëherë në vendin tonë.

“Mirë se keni ardhur sot në këtë event të rëndësishëm. Për ata që janë të juaj, mirë se keni ardhur në Tiranë, mirë se erdhët në Shqipëri. Sot është një ditë e veçantë, një ditë e bukur për ne, për mua, për Erionin, për Lorikun që prezantojmë për herë të parë trofeun e parë të Conference League.
Është një ditë e veçantë për Tiranën, ditë fantastike sepse e pret këtë trofe për herë të parë. Është një ditë e bukur për ata që kanë vizituar Tiranën, Shqipërinë. Uroj që ne me sjelljen tonë, t’i bëjmë të huajt të vijnë e të vijnë përsëri në Tiranë. Sot është një ditë e bukur gjithashtu për futbollin shqiptar që pas një pune voluminoze, arriti një objektiv madhor që të ketë një trofe të rëndësishëm dhe një aktivitet të rëndësishëm.
Uroj që të gjithë bashkë, holandezë, italianë, kombësi të tjera, shqiptarë që jemi shumë mikpritës ta shijojmë këtë aktivitet, ta shijojmë këtë finale dhe mos të jetë i fundit për ne shqiptarët. I uroj suksese ekipit të Romës dhe ekipit të Feyenoordit dhe uroj që të dyja ekipet ta zbukurojnë akoma më shumë këtë festë. Uroj spektakël dhe fair-play. Faleminderit dhe ta shijojmë të gjithë bashkë!”
Ndërkohë, fjalën e mori edhe ambasadori i finales, Lorik Cana, sipas të cilit, shqiptarët duhet t'i shijojnë këto ditë fantastike që kulmojnë me ndeshjen e së mërkurës.
Fjala e Dukës dhe Canës ia la vendin më pas interesimit të madh që shfaqën banorët e kryeqytetit por edhe tifozët që kanë nisur të ngjyrosin rrugët dhe sheshet e Tiranës.
“Mirë se keni ardhur në Tiranë. Jemi kryeqyteti i futbollit, për ditën e sotme dhe të nesërme të paktën. Për herë të parë, në edicionin e parë kemi kënaqësinë dhe krenarinë të mirëpresim dhe të prezantojmë trofeun e Conference League që nis rrugëtimin. Shpresoj sa më gjatë dhe sa më bukur dhe jam shumë i sigurt që me këmbë të mbarë në vendin tonë. Uroj që të kënaqeni këto dy ditë. Për të huajt që nuk kanë qenë, t’i presim në mënyrë sa më të mirë, të festojmë dhe fitoftë më i miri”.
Kupa do të qëndrojë aty deri nesër para ndeshjes dhe më pas Trofeu do të zhvendoset në ambjentet e stadiumit “Arena Kombëtare”.
Ajo që ra në sy ishin kushtet e larta të sigurisë në Shehin Skënderbej për sigurinë e trofeut që është unikal në llojin e tij.
Foto: LSA






